Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha të enjten se Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor po i afrojnë ekonomitë dhe tregjet e tyre përmes planit të Rritjes prej gjashtë miliardë eurosh për rajonin.
Presidentja von der Leyen, e cila mblodhi në një drekë pune në Bruksel udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha se se këto vende i përkasin Evropës.
Qeveria e Kosovës përmes një komunikate citoi kryeministrin Albin Kurti të ketë kërkuar të trajtohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të hiqen masat ndëshkuese të vendosura më shumë se një vit më parë për shkak të situatës në veriun e saj.
Kurti ka thënë se meqë zgjerimi është kthyer në agjendën e Bashkimit Evropian, Kosova pret marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe pyetësorit, shkruan Reporteri.net.
Duke folur nga Brukseli, Kurti u shpreh se është koha që Bashkimi Evropian të bëjë hapa konkretë dhe të marrë vendime të rëndësishme për rrugën evropiane të Kosovës.
Ai është shprehur se këto hapa përfshijnë njohjen e pesë vendeve mosnjohëse të BE-së dhe marrjen e statusit të vendit kandidat e pyetësorin për anëtarësim.
I pari i ekzekutivit ka thënë se Kosova e ka arritur nivelin e zbatimit të Agjendës për Reformat Evropiane në mbi 70 për qind, e edhe Programin Kombëtar për Integrimin Evropian. Sipas Kurtit, Kosova ka shënuar progres në rritjen ekonomike, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zbatimit të reformave në drejtësi.
“Zgjerimi i BE-së është përgjigja më e mirë ndaj atyre që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Falenderova Presidenten Ursula von der Leyen për ftesën sot dhe mbështetjen e saj për Ballkanin Perëndimor dhe e urova për rizgjedhjen e saj. Kosova është e etur për t’u bashkuar në “garën për në krye” në një proces anëtarësimi të bazuar në merita. Me kthimin e zgjerimit në agjendën e BE-së, ne presim marrjen e statusit të kandidatit dhe pyetësorit, pasi angazhimi ynë ndaj reformave, zhvillimit dhe demokracisë vetëm sa bëhet më i forte”, tha Kurti.
Plani për Ballkanin Perëndimor, u miratua nga BE-ja në maj të këtij viti. Von der Leyen ishte i përfshirë personalisht në promovimin e atij plani dhe ai u mbështet nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të Këshillit të BE-së.
Sipas raportimit, takimi do të jetë një mundësi e mirë për të parë se deri ku kanë arritur këto vende me përgatitjet për të realizuar qëllimet e Planit të Rritjes. Nëpërmjet Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, BE-ja planifikon të ndajë rreth gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit nga viti 2024 deri në vitin 2027.
Nga kjo shumë, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formën e kredive favorizuese. Përfitues të këtyre fondeve janë të gjitha vendet e rajonit: Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, BeH dhe Kosova. /Reporteri.net/