“KFOR-i nuk është çadër sigurie për t’u strehuar pas veprimeve të njëanshme”.
Me një nervozizëm të thellë ishte shprehur para mëse një viti ish-Komandanti italian i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, pasi 90-e-dikur ushtarë të misionit paqembajtës ishin lënduar rëndë në trazirat e mëdha para objektit të Komunës së Zveçanit. Disa prej tyre me lëndime të përhershme, e madje edhe amputime.
Qeveria e Kosovës kishte vendosur t’i instalonte me njësi speciale kryetarët me legjitimitet të pakët në ato objekte komunale, teksa për këtë gjë s’e kishte njoftuar fare KFOR-in, e për më tepër as Ilir Pecin që paramendonte se po shkonte në takim me Ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin. Shkarkimi i një turme të egër nacionalistësh serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it pati marrë përmasat më të rënda të ndonjë konfrontimi fizik.
KFOR-i si reagues i tretë qe thirrur të marrë situatën nën kontroll duke evituar edhe reaguesin e dytë. “Shmangëm një tragjedi”, pati thënë Ristuccia, i shokuar nga niveli i madh i dhunës që kishte shpërthyer, dhe shtonte se po të mos ishte për intervenimin e KFOR-it “sot do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit” (Corriere, La Repubblica).
Qortimi i tij kishte adresë: “Qeveria e Prishtinës përdori forcë pa na konsultuar, kësisoji duke e bërë intervenimin tonë të domosdoshëm për të shmangur tragjedi”.
Një vit më vonë kryefjala është kthyer në rrezikim të jetëve të ushtarëve të KFOR-it, dhe kjo e thënë për herë të parë e specifikuar “ushtarëve amerikane” nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Qeveria e Kosovës pavarësisht gjithçkaje dhe kundërshtimit të QUINT-it dhe KFOR-it që aktualisht të mos veprojë në hapjen e Urës së Ibrit, i ka flakur tutje se kjo gjë është “çështje e mbyllur, vendim i marrë”.
“Planet aktuale (të qeverisë së Kosovës) nuk e marrin parasysh atë rrezik”, tha dje Hovenier në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, dhe se jetët e ushtarëve amerikanë “rrezikohen” nga një hapje e tillë tashmë ShBA-ja i ka dorëzuar vlerësim edhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, siç e citoi kabinitetin presidencial gazeta “Reporteri”.
Hovenier-i artikulon shqetësimet
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara që në këtë çast ushtarët amerikanë të përballen me rrezik shtesë për këtë çështje”, tha fillimisht Jeffrey Hovenier.
U pyet specifikisht nga intervisteusja se a mund të bëhet që autoritetet ligjzbatuese kosovare të mund të kenë ndofarë friksioni mes vete nëse ballafaqohen në terren? “Nuk mund të flas se si do të reagojë Kosova në një situatë të tillë. Mund të them se KFOR-i ka qenë mjaft i qartë se e merr seriozisht edhe këtë çështje”, tha Hovenier.
“Porosia e bashkësisë ndërkombëtare për kryeministrin është më se e qartë se tani, në këtë çast, ne nuk e mbështesim ndryshimin e statusit të urës. Dhe, arsyeja pse nuk e mbështesim është sepse besojmë se ekziston mundësia për rritje të tensioneve dhe të dhunës, e cila rrit rrezikun për ushtarët dhe për komunitetet lokale, përfshirë edhe për ushtarët amerikanë. Kështu ka shkuar biseda jonë”, tha ai.
Nga Zyra e Presidencës kanë thënë se “konfirmojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me Presidenten, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, të cilët çdoherë kanë dalë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe jetës së qytetarëve tanë”.
Departamenti amerikan i Shtetit, deklarohet sërish
Departamenti amerikan i Shtetit sërish është shprenur se nuk mbështesin hapjen e Urës së Ibrit për automjete duke treguar që këtë qëndrim ia kanë përcjellur qeverisë kosovare “publikisht dhe privatisht”.
“Hapja e urës për trafikun e automjeteve tani, rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e një zëdhënësi të DASh për “Zërin e Amerikës”.
“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të Kuintit – Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht”, vazhdon deklarata e zëdhënësit.
Departamenti i Shtetit thotë se objektivi i Shteteve të Bashkuara është që të punojnë me qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura të mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.
“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundon deklarata.