Një ekip ndërkombëtar studiuesish ka zbuluar se piramidat egjiptiane fillimisht janë ndërtuar përgjatë një degë të lumit Nil, me një gjatësi prej 64 kilometrash, të cilën ata e kanë quajtur Ahramat (piramida, në arabisht), që më pas është zhdukur, duke u mbuluar nën toka bujqësore dhe shkretëtirë, transmeton të enjten EFE.
Zbulimi, i raportuar të enjten në revistën shkencore Communications Earth & Environment, mund të shpjegojë pse 31 piramida, përfshirë ato në kompleksin e piramidave të Gizës dhe Lishtit, janë përqendruar aktualisht në një shirit të ngushtë dhe të pasigurt shkretëtire, pjesë e Saharës.
Të gjitha këto piramida janë ndërtuar gjatë një periudhe prej afro 1.000 vjetësh, duke filluar rreth 4.700 vjet më parë, kur Nili kishte një rrjedhë shumë më të madhe se sot dhe, në disa zona, shpërndahej në disa degë, sipas dëshmive sedimentare.
Autorët e studimit besojnë se një grumbullim i madh rëre i bartur nga era, i shoqëruar me një thatësirë të madhe, që ka filluar 4.200 vjet më parë, mund të shpjegojë migrimin e degës së ujit Ahramat drejt lindjes dhe sedimentimin e saj të mëvonshëm.
Eman Ghoneim, studiuesja kryesore në Universitetin e Karolinës së Veriut në Wilmington, Shtetet e Bashkuara, dhe ekipi i saj kanë studiuar imazhe satelitore për të zbuluar vendndodhjen e mundshme të kësaj dege të lashtë të Nilit, që rridhte në këmbët e pllajës shkretëtirë perëndimore të Egjiptit, në afërsi të fushave të piramidave.
Shkencëtarët përdorën më pas studime gjeofizike për të analizuar mostrat e tokës, duke konfirmuar ekzistencën e sedimenteve lumore dhe kanaleve të lashta nën sipërfaqen aktuale të rajonit, çka tregon për praninë, në atë kohë, të një dege të lashtë të Nilit, Ahramat.
Zbulimi do të shpjegonte arsyen pse fushat e piramidave ishin përqendruar përgjatë kësaj pjese të shkretëtirës, të vendosura pranë kryeqytetit të lashtë egjiptian, Memfis. Ato ishin kështu lehtësisht të aksesueshme, përmes degës së lumit, në kohën kur janë ndërtuar.
Autorët e studimit kanë zbuluar gjithashtu se në shumë prej piramidave mund të arrihej përmes rrugëve të shtruara, që përfundonin në bregun e degës Ahramat, çka tregon se lumi përdorej për transportimin e materialeve ndërtimore.
Këto zbulime theksojnë rëndësinë e Nilit si “autostradë” dhe arterie kulturore për egjiptianët e lashtë, dhe nxjerrin në pah gjithashtu mënyrën se si shoqëritë njerëzore janë ndikuar historikisht nga ndryshimet në mjedisin përreth.
Studiuesit bëjnë thirrje për vazhdimin e kërkimeve për zbulimin e mundshëm të degëve të tjera të zhdukura të Nilit, çka do të ndihmonte në prioritizimin e gërmimeve arkeologjike përgjatë brigjeve të tij dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Egjiptit.