Kryeministri Edi Rama po mban fjalën këtë të dielë në takimin me shqiptarët e diasporës që jetojnë në Britaninë e Madhe.
Rama: Mbase nuk më takon mua por duke qenë se u bëra unë shkak që të vini sot këtu në një ditë pushimi dua t’ju kërkoj ndjesë për një grusht të verbërish atje tek dera që të nxitur nga të verbërit në Tiranë kishin marrë me vete librin e shtëpisë sonë edhe e bërtisnin aty përballë. Megjithatë me keqardhje por pa asnjë dyshim me vetëdijen që edhe ata janë pjesë e familjes sonë të madhe.
Gjatë fjalimit, ai ka sulmuar ish ministren e brendshme britanike: “Para disa ditësh këtu erdhi për një takim partia tjetër, që nxit të tilla akte antishqiptare në tokë të huaj dhe kishin çuar një ftesë për ambasadorin tonë. Ambasadori ktheu përgjigje dhe ata nuk u bënë më të gjallë. Për tu kthyer te biseda, ju e mbani mend një ish ministre të brendshme të këtij vendi, që u bë mishërimi i politikës djallëzore duke na treguar ne shqiptarët si rrezik për Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo tha se prurja e shqiptarve ishte pushtim, na bëri pushtues sikur shqiptarët ishin ushtare të një armate placckitëse, jo pjesë e matjes njerëzore që punon në këto toka. Na quajti pushtues a thua se kishim ardhur per të marrë kokën e Mbretëreshës, jo për të ndihmuar ekonominë britanike e cila vuan për krah pune. U ngritën dhe disa të tjerë që na treguan me gisht.”
Kryeministri Edi Rama gjithashtu dha lajmin e mirë gjatë fjalës së tij në takimin me shqiptarët e diasporës që jetojnë në Britaninë e Madhe.
Rama: Edhe disave prej jush ju është dashur të fshihni identitetin e tyre. Disa ende sot kalojnë vështirësi burokratike për regjistrimin e fëmijëve. Do ndërmarrim së shpejti një nismë ligjore për regjistrimin e të gjithë fëmijëve të prindërve që u regjistruan si kosovarë në Angli, do vijojnë përpjekjet diplomatike për të mundësuar të gjithëve ju që keni një kohë rikthimin e emrit të babës dhe nënës në të gjitha rastet që ju e dëshironi këtë.
Sot është kollaj të thuhet se ata abuzuan me sistemin e këtushëm duke ndërruar emrin dhe ndërtuar një jetë më të mirë, vetë ndarja mes refugjatëve politikë dhe ekonomikë, në çdo kohë është vetëm një mjet për të justifikuar.
Po në të njejtin fjalim, ai riktheu në vëmendje “Paketën e Maleve” për të gjithë emigrantët që duan të investojnë në vendin tonë.
Gjatë takimit me diasporën në Londër, ai u bëri thirrje që të rikthehen në Shqipëri.
Rama: Nuk dua t’ju gërvisht plagën, por ku kur del dielli këtu duket si bora kur bie në Tiranë, çdo shqiptari të Britanisë që e ka lënë pas një shtëpi të vjetër në fshat i them sot investo tek ajo shtëpi tek ai truall, të ardhurat do të jenë shumë më të larta se dy palë punë këtu. Nga Britania e Madher është kthyer atje në Malësinë e Madhe Gëzimi i cili mikpret turistë nga e gjithë bota dimër verë, pyeteni si del më mirë llogaria.