Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka njoftuar tërheqjen nga gara për deputet në zgjedhjet e 11 maj. Në një postim në Facebook, Koçi shpjegon edhe arsyet pse ka marrë këtë vendim.
“Unë nuk do të jem në listën përfaqësuese të kandidaturave për deputetë, jo për ndonjë paburrëri politike, frikë nga dështimi personal apo braktisje të shpirtit të solidaritetit, por sepse, ndryshe nga të gjithë ju, jam i vetmi që nuk kam shansin e startit në kushte të barabarta, pasi nuk kam në ngarkim një zonë përgjegjësie politike elektorale”, tha deputeti socialsit.
“Pas një fushate jotregtare në zgjedhjet e fundit vendore në kryeqytet, bashkë me strukturën organizative të zonës, e nxorëm Kombinatin të parin, me një rezultat që e çoi stekën elektorale në 60% për PS-në”.
Sipas Koçit, pas caktimit të Blendi Gonxhes si drejtues politik për zonën e Kombinatit, pozicioni i tij nuk ishte më i qartë. “Caktimi i Blendi Gonxhes si përgjegjës politik në zonë ishte një zgjedhje e mençur dhe e qëlluar, sepse problemet madhore të Kombinatit, si pasojat e tërmetit, procesi i rindërtimit apo ndikimi i projekteve madhore të Unazës apo të Lanës, kërkonin një fuqi ekzekutive të dedikuar dhe kompetente për t’ua koordinuar zgjidhjet. Unë e vlerësoj shumë punën e tij elektorale dhe besoj se Kombinati do të jetë sërish i pari në garën zgjedhore. Megjithatë, ky ndryshim në përgjegjësinë drejtuese solli një spostim jotransparent dhe mospërcaktim të qartë të funksionit tim në zonë. U ndërpre si me thikë përfshirja ime në aktivitetin organizativ të partisë, duke mos u lajmëruar kurrë për kalendarin e përditshëm të mbledhjeve dhe takimeve, përjashto rastet kur ky kalendar varej nga selia qendrore dhe lajmërimet mbërrinin nëpërmjet rrjetit në grupin ËhatsApp të deputetëve. Nuk e di nëse kjo situatë ishte e orientuar apo ishte pasojë e ndonjë intrige shpirtvogël. Megjithatë, e fal çdo kënd që, me apo pa dashje, ka gisht në këtë mëkat, i cili mbetet i parëndësishëm për interesa përtej meje”.
Pasi falënderon Edi Ramën për mbështetjen, Koçi bën edhe një ftesë për kolegët socialistë. “E shfrytëzoj këtë komunikim publik për t’i bërë thirrje çdo kolegu, deputet ose jo, që ka probleme hetimore serioze me SPAK-un, të mos kandidojë në këto zgjedhje. Kam besim se çdo person, të cilit do t’i ndërpritet procesi hetimor apo do të mund të marrë pafajësinë më vonë, PS-ja do t’i japë meritat e duhura në vijim”, thotë ai.
“Këto zgjedhje kanë rëndësi historike kombëtare, sidomos në dy aspekte, ku më i rëndësishmi është integrimi evropian, i cili do të ndërpritej dhe do të shtyhej nëse Koalicioni i Krimit Madhështor do të kishte shansin të fitonte zgjedhjet. Po aq i rëndësishëm është dhe fati i reformës në drejtësi. Edhe pse po e paguajmë me lëkurën tonë, drejtësia e re ka garanci vetëm PS-në tonë. E theksoj këtë që të vëmendësojmë drejtuesit e fushatës të respektojnë verbërisht ligjin, në mënyrë që të mos japim asnjë shans gojëve të madhështorëve të krimeve madhore të tranzicionit politik”.