Sot, në Kuvendin e Serbisë janë përplasur fizikisht përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës, si dhe disa ministra.
Forcat e sigurisë i ndanë dhe disa deputetë, të cilët vazhduan konfliktin duke rrëmbyer një pankartë fyese që deputetët e qeverisë kishin vendosur në Kuvend.
Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Bërnabiq, u kërkoi deputetëve të kthehen në ulëset e tyre, në mënyrë që seanca plenare të mund të vazhdojë.
Deputetët opozitarë njoftuan se do të bllokojnë punën e parlamentit, pasi Bërnaqi refuzoi kërkesën e tyre për të caktuar një seancë ku do të diskutohej për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë serbe, pas incidentit në stacionin hekurudhor në Novi-Sad më 1 nëntor, kur 15 persona humbën jetën si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni.
Opozita serbe po kërkon shkarkimin e kryeministrit Millosh Vuçeviq, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për ngjarjen në Novi-Sad.
Kuvendi i Serbisë po diskuton lidhur me buxhetin e vitit 2025.