Ka përfunduar e qetë protesta e qytetarëve serbë e cila u mbajt në sheshin “Car Llazar”, në afërsi të urës së Ibrit.
Serbët dolën për të protestuar sot për të kundërshtuar hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër.
Tubimi në pjesën veriore të qytetit përfundoi pa incidente, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për gazetën online Reporteri.net se në protestë morën pjesë rreth 600 protestues.
Serbët janë shfaqur me pankarta “Në urë mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti hap urën, përgjegjës do të mbeten KFOR dhe QUINT-i” dhe “Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja po lëshojnë deklarata, ne po na dëbojnë”.
Aty janë parë edhe drejtuesit e Listës Serbe: Zlatan Elek, Dragisa Miloviq, Slavko Simiç, Igor Simiç, Ivan Todosijeviq.
Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.
Reagimi i KFOR-it erdhi kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë përgjatë vizitës në Mitrovicë të Veriut se “nuk ka arsye që ura të mos hapet’.