Festivali Mbarëkombëtar i Aktrimit “Apollon” pas 7 netësh ka ndarë çmimet për aktorët që kanë interpretuar. Drama “7 Minuta”, me regji të Driada Dervishit, pati një kast prej 11 aktoresh, mes të cilave emra të njohur të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Anila Bisha.
Yllka Mujo fitoi çmimin aktorja më e mirë Protagoniste dhe Myzafer Zifla mori çmimin Aktori më i mirë Protagonist aktorit në rolin e Dr. Frojdit.
Çmime të tjera të këtij festivali ishin edhe çmimi për aktorin dhe aktoren jo protagoniste, të cilat i morën aktorët Gazmend Paja dhe Zamira Kita.
Një çmim tjetër që u dha për herë të parë në këtë festival ishte edhe ai për aktoren dhe aktorin debutues, të cilat i morën aktorët e rinj: Flobenza Bezati dhe aktori kosovar Çlirim Shabani.
Për herë të parë në këtë festival janë dhënë 4 çmime IN MEMORIAM për aktorë të shquar fierakë të ndarë nga jeta; Dhimitër Jano, Fatos Sela, Muhamet Sherri dhe Hajrie Rondo.
Aktori më i mirë protagonist Myzafer Zifla dhe aktori më i mirë joprotagonist Gazmend Paja u shprehën mjaft të emocionuar për vlerësimin e jurisë prestigjioze.
Festivali i aktrimit ‘Apollon’ këtë vit ishte në edicionin e 15-të tij. Në të morën pjesë 6 trupa teatrore, në të cilat interpretuan 30 aktorë. Ai nisi në 10 nëntor dhe zgjati 7 net.