Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se kanë përfunduar intervenimet në kanalin e dëmtuar të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Ajo ka thënë se zgjidhja e re inxhinierike për të ruajtur sigurinë e kanalit, tashmë është bërë.
“Intervenimet në kanal sapo kanë përfunduar dhe furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar, ndërsa nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës. Sikurse edhe gjatë dy ditëve të kaluara, prioritet i parë do të mbetet furnizimi i mjaftueshëm i termocentralit me ujë për ftohje, për të zgjeruar pastaj furnizimin për KRU-të sa më herët që është e mundshme”, tha Rizvanolli.
Rizvanolli tha se për të realizuar punimet, furnizimi me ujë i kanalit është ndërprerë të dielën në mesnatë.
“Për të realizuar punët në kanal, furnizimi i kanalit me ujë është ndërprerë mbrëmë në mesnatë. Si rrjedhojë, komunat që furnizohen me ujë nga Ibër Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme”, u shpreh ministrja e Ekonomisë.
Ajo i ka inkurajuar qytetarët që të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta rreth furnizimit me ujë.
Në fund, ministrja i ka falënderuar ekipin e Ibër Lepencit dhe kontraktorin për punën në kanal, si dhe ministrin Xhelal Sveçla dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi “që kanë përcjellur nga afër punën në terren gjatë gjithë natës”.