Përfshirja e Koresë së Veriut në konfliktin në Ukrainë “kërkon një përgjigje të fortë”, deklaroi të mërkurën në Bruksel Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një vizite në NATO, raportoi AFP.
“Forcat verikoreane janë angazhuar në luftime dhe tani, fjalë për fjalë, në përplasje: ky element i ri kërkon një përgjigje të fortë, dhe ajo do të vijë,” tha Blinken për mediat, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Shtetet e Bashkuara konfirmuan të martën se trupa verikoreane janë të përfshira në operacione luftarake në rajonin Kursk të Rusisë, një pjesë e vogël e të cilit është nën kontrollin e forcave ukrainase.
Blinken shprehu gjithashtu shqetësimin e tij për globalizimin e konfliktit në Ukrainë, duke kërkuar që “të punojmë edhe më ngushtë së bashku”.
“Një nga gjërat që NATO ka bërë gjatë viteve të fundit është forcimi i lidhjeve me partnerët në rajonin Indo-Paqësor, dhe ne do ta vazhdojmë këtë edhe më shumë në javët dhe muajt e ardhshëm,” siguroi ai.
Administrata e presidentit demokrat Joe Biden do të zëvendësohet më 20 janar nga ajo e presidentit republikan të zgjedhur, Donald Trump. Evropianët kanë frikë se kjo ndryshim në Shtëpinë e Bardhë do të çojë në tërheqjen e SHBA-së nga kontinenti i tyre dhe në përfundimin e mbështetjes ushtarake amerikane për Ukrainën.