Një delegacion me gjyqtarë dhe prokurorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ndodhet prej disa ditësh në Tiranë, ka zhvilluar një takim në mjediset e Gjykatës së Lartë.
Në njoftimin e zbardhur nga zyra e shtypit pranë Gjykatës së Lartë thuhet se bisedimet u përqëndruan në organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor, sfidat e përbashkëta me të cilat përballen gjyqtarët, pavarësisht vendit ku e ushtrojnë detyrën e tyre, arritjet dhe përpjekjet e vazhdueshme për të dhënë drejtësi dhe për të qenë sa më transparent, duke ruajtur pavarësinë dhe integritetin gjyqësor.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sadushi vlerësoi kontributin e deritanishëm të qeverisë së SHBA, për të asistuar Gjykatën e Lartë në uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, rezultatet e së cilës sot janë mjaft të dukshme dhe të mirëpritura nga publiku shqiptar. Ai gjithashtu shprehu dëshirën për një rritje të shkëmbimit profesional mes gjyqësorit të të dy vendeve, si një nga mënyrat për të marrë përvojat më të mira dhe efikase në drejtim të administrimit të drejtësisë, sipas zhvillimeve më të fundit të teknologjisë së informacionit.
Pjesë e delegacionit amerikan janë Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah, Kryegjyqtari Robert Shelby nga Gjykata e Qarkut të Utah, gjyqtarja Paige Petersen e Gjykatës së Lartë të Utah.