Ndërsa dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës rriten, Kosova, po ashtu, përballet me një moment përcaktues: Ku të kërkojë mbështetje? Me sfidat që e presin – nga dialogu me Serbinë deri tek anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare – ekspertët i sugjerojnë t’i forcojë lidhjet me BE-në dhe me aleatë përtej Perëndimit.
Në katër javët e fundit, SHBA-ja i çoi mesazh Evropës që të mos llogarisë përgjithmonë në mbrojtjen prej saj, evropianët folën për nevojën e “pavarësisë” në siguri dhe shprehën shqetësim për të ardhmen e NATO-s, në Zyrën Ovale kishte përplasje diplomatike mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, Uashingtoni ia ndali ndihmën ushtarake Kievit dhe pezulloi ndarjen e informacioneve të inteligjencës me të…
Në Kosovë, për gati katër javë, u numëruan vota – votat që u dhanë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Procesi i numërimit të tyre nisi atë natë dhe nuk përfundoi deri më 5 mars.
Çështja nuk është më te kjo vonesë, por te pyetja që mbetet pa përgjigje: Kush dhe kur do ta formojë qeverinë e re?
Ndërkohë që ngjarjet në botë shpalosen me shpejtësi njëra pas tjetrës, udhëheqësit politikë në Kosovë duket se kanë hyrë në pazarllëk me njëri-tjetrin për ulëset parlamentare.
Të vetmen gjë që e thonë me siguri është se për proceset kritike përpara – nga dialogu me Serbinë deri tek anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare – do të vazhdojnë të mbështeten te SHBA-ja dhe BE-ja.
“Ne jemi pjesë e Evropës kontinentale, ndërsa në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneriteti strategjik ka qenë gjithmonë shtyllë e orientimit tonë”, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – aktualisht në pushtet.
“Ka sfida me administratën e re amerikane – ato që shihen edhe botërisht – por ne u qëndrojmë vlerave dhe parimeve të njëjta strategjike”, shton ajo.
Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit doli e dyta, pas Vetëvendosjes, thotë se për politikën e jashtme, adresë e parë e Kosovës duhet të jenë Shtetet e Bashkuara, pastaj Brukseli, Berlini, Parisi e Roma.
“Por, ajo për çfarë ka nevojë Kosova në këtë kohë, është që ta kuptojë se rendi ndërkombëtar, i cili e ka krijuar Kosovën e pavarur, nuk ekziston më”, thotë ai.
“Është një rend i ri ndërkombëtar, ku Kosova do të duhej të gjendej në mënyrë strategjike”, vlerëson Hoxhaj.
E, nga partia e tretë më e madhe në Kosovë – Lidhja Demokratike e Kosovës – thonë se vendi duhet të luajë mençur që të mos ndikohet nga riorganizimi i diplomacisë ndërkombëtare.
“Edhe pse mund të ketë dallime në mendime e në qëndrime mes SHBA-së dhe Evropës, Kosova nuk e ka luksin që të zgjedhë mes këtyre palëve”, sipas Besian Mustafës nga kjo parti.
Në BE, nga fundi i vitit të kaluar, ka udhëheqje të re, e cila ka shprehur mbështetje për integrimin evropian të Kosovës, por ka përsëritur se ky rrugëtim i saj varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, që është ende larg.
Edhe në SHBA, nga fillimi i këtij viti, ka administratë të re me në krye presidentin Donald Trump, i cili është zotuar se do t’i zgjerojë lidhjet me Kosovën.
Megjithatë, vëzhguesit thonë se ngjarjet e javëve të fundit, kanë treguar se fokusi mund të ndryshojë me shpejtësi, ndaj edhe Kosova duhet të përshtatet me një botë, ku aleancat janë në lëvizje dhe asgjë nuk është e garantuar.
Romana Vlahutin, nga Fondi Gjerman Marshall i Shteteve të Bashkuara, thotë se pozicioni i Ballkanit Perëndimor në politikën e jashtme të SHBA-së, nuk është i sigurt. Kosova, sipas saj, duhet të fokusohet në forcimin e partneriteteve me vendet evropiane dhe me vetë BE-në.
BE-ja nga viti 2023 ka në fuqi disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, për shkak të tensioneve në veri të saj. Nga viti 2022, blloku nuk e ka shqyrtuar as aplikimin e Kosovës për anëtarësim në të.
E pyetur se a mund të mbështetet Kosova në një BE të tillë – me 27 anëtarë të ndryshëm – Vlahutin thotë:
“Vërtet, nuk është në interesin e BE-së që të ketë ndonjë krizë të hapur në kontinentin evropian. Është absolutisht në interesin e BE-së që Ballkani Perëndimor të jetë i sigurt dhe i qëndrueshëm. Dhe në këtë kontekst, mendoj se interesat e Kosovës dhe interesat e BE-së janë të njëjta”.
Për Tefta Kelmendin nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, Kosova duhet t’i ripërpunojë marrëdhëniet e saj me BE-në dhe shtetet anëtare kyçe, të tilla si Franca.