“Arsyeja pse Republika e Kosovës duhet të përballet me këto sulme tash është pikërisht suksesi i Republikës së Kosovës, suksesi ynë është duke i çmendur ata, dhe ata janë gjithnjë më agresiv, sepse janë gjithnjë më nevrik. Po të dështonte shteti i Kosovës, nuk do të na i bënin këto, këto i bëjnë se jemi të suksesshëm”.
Kjo duket të jetë përpjekja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në mesnatën mes 29 dhe 30 nëntorit 2024, për të justifikuar se përse vazhdojnë tensionet në veriun e Kosovës, pasi gjatë vitit 2024 ai ka propaganduar se ka “shtrirë sovranitetin” dhe ka zhdukur “bandat kriminale” e institucionet paralele të Serbisë.
Jusitfikimi i kryeministrit Kurti erdhi pas pyetjes nga gazetarët në konferencën e tij të jashtëzakonshme vetëm pak orë pasi që në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut me mjete shpërthyese është dëmtuar kanali kryesor i Ibër Lepencit, që pamundësoi furnizimin me ujë të disa qyteteve të Kosovës dhe KEK-un për procesin e prodhimit të energjisë elektrike.
Kryeministri Kurti nxori këtë justifikim, pasi u përballë me deklaratat e tij të shpeshta, sipas të cilave “Veriu i Kosovës nuk ka qenë kurrë më i sigurtë”.
Madje, kjo përgjigje e Kurtit erdhi edhe pas konstatimit të tij se grupet kriminale dhe strukturat paralele “janë shpordhur” nga veriu i Kosovës.
“Më 29 qershor të vitit të kaluar, Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore janë shpallur organizata terrorirriste. Qëndrimi ynë ka qenë i drejtë, u patëm kritikuar, u patëm kundërshtuar për këtë shpallje. Nuk i kam emrat e atyre që kanë vënë eksplozivin në kanalin që furnizon Kosovën e këtej, por di një gjë, elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të “Mbrojtjes Civile” e “Brigadës Veriore”, ose që nuk janë formalisht, e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar. Nuk do të kishte “Mbrojtje Civile” apo “Brigadë Veriore” nëse nuk do ta kishin mbështetjen, financimin dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar. Elementë të tyre, individë mund të ketë ende, por ato grupe kriminale, struktura paralele, janë shpordhur”, ka thënë Kurti.
Propaganda e Vetëvendosjes për sovranitet dhe ligjshmëri në veriun e Kosovës është shpeshtuar me afrimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen në shkurt të vitit 2025.
Vetëvendosje kishte organizuar edhe vizita në grupe të aktivistëve dhe mbështetësve të saj gjatë verës në Ujman, duke improvizuar shtrirjen e sovranitetit. Por, e gjithë kjo ishte një farsë e pushtetit, pasi personat që laheshin në Ujman ruheshin nga njësitë speciale të armatosura të Policisë së Kosovës.