Filipinet thanë se nuk morën në konsideratë aktivizimin e një traktati të vitit 1951 të mbrojtjes reciproke me Shtetet e Bashkuara pas një konfrontimi me rojën bregdetare kineze në Detin e Kinës Jugore, ku një marinar u plagos në një sulm të armatosur. Incidenti, të cilin ushtria filipinase e cilësoi “përplasje të qëllimshme me shpejtësi të lartë” nga roja bregdetare kineze, shkaktoi lëndime serioze për një marinar filipinas. Ushtria filipinase tha se roja bregdetare kineze konfiskoi ose shkatërroi pajisjet e anijes filipinase.
Pas konfrontimit të së hënës, Manila publikoi pamje filmike që tregojnë marinarët kinezë me thika dhe armë të tjera teksa përpiqeshin të ndalonin misionin e furnizimit për një post në ishujt Spratly. Autoritetet filipinase thonë se një marinar humbi gishtin e madh gjatë konfrontimit. Ministria e Jashtme e Kinës i ka hedhur poshtë akuzat e Manilës në lidhje me incidentin, me pretendimet se masat e marra ishin të ligjshme, profesionale dhe të paqortueshme.
Sekretari Ekzekutiv i Filipineve, Lucas Bersamin, tha për gazetarët të premten se incidenti ndoshta mund të “ketë qenë keqkuptim ose një aksident” dhe se çështja mund të zgjidhet lehtësisht nëse Kina dëshiron të bashkëpunojë. Zoti Bersamin, i cili gjithashtu kryeson këshillin kombëtar të marinës, shtoi se Filipinet “ende nuk janë gati ta cilësojnë atë si një sulm të armatosur”. Sipas Traktatit të Mbrojtjes së Ndërsjellë të vitit 1951, Shtetet e Bashkuara janë të detyruara të ndihmojnë në mbrojtjen e Filipineve gjatë konflikteve madhore.
Në fillim të javës, Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell shpjegoi se traktati, “përfshin sulmet e armatosura ndaj forcave të armatosura, anijeve publike ose avionëve filipinas, përfshirë ato të rojës së saj bregdetare – kudo në Detin e Kinës Jugore”, sipas zëdhënësit të Departamentin e Shtetit, Matthew Miller. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, foli në telefon të mërkurën me Ministrin e Jashtëm të Filipineve, ku ai theksoi “angazhimet e hekurta të Shteteve të Bashkuara ndaj Filipineve në bazë të Traktatit të Mbrojtjes së Ndërsjellë”.
Vietnami, vend i cili sikurse Kina, ka pretendime për pjesë të Detit të Kinës Jugore, tha se është gati të zhvillojë bisedime me Filipinet mbi zonën e kontestuar, sipas raporteve të mediave zyrtare vietnameze të premten. Vietnami “është i gatshëm të diskutojë me Filipinet për të kërkuar dhe arritur një zgjidhje që është reciprokisht e dobishme për të dy vendet,” tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Vietnamit, Pham Thu Hang.