Me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron dhe të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Paris, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e krerëve të shteteve të kësaj organizate.
Siç njofton Presidenca, gjatë qëndrimit në Paris, Presidentja Osmani do të ketë adresim në një nga seancat e Frankofonisë, gjersa do të takojë edhe homologë të saj, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Presidentja dhe Zotëriu i Parë po ashtu janë ftuar në darkën zyrtare të shtruar nga Presidenti Macron në Pallatin Élysée, në drekën zyrtare të shtruar nga Sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, si dhe në një sërë aktivitetesh përcjellëse në kuadër të Samitit.
Ky samit mbledhë krerët e shteteve anëtare, anëtarë të asociuar, anëtarë vëzhgues, përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe të ftuar te tjerë.
Vizita e Osmanit në Francë vjen pas asaj në Gjermani, ku presidentja Osmani u prit nga homologu i saj i gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Pas takimit, Presidenca gjermane njoftoi se Steinmeier i tha Osmanit se Gjermania është e interesuar për stabilitetin në rajon dhe anëtarësimin evropian të Kosovës.
Ai tha se Gjermania është shumë e interesuar për stabilitetin e rajonit dhe e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Europës.
Paraprakisht Osmani në Berlin është takuar edhe me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, me të cilën tha se rikonfirmuan “partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë”.