Koreja e Veriut dhe Rusia kanë nënshkruar të mërkurën një ”partneritet strategjik global”, i cili parashikon ndihmë të ndërsjellë në rast të “agresionit”, ka njoftuar presidenti rus Vladimir Putin, i cili, pritur me madhështi në Phenian për një vizitë shtetërore, ka marrë mbështetjen e fuqishme të mikpritësit të tij Kim Jong Un për luftën e tij kundër Ukrainës, transmeton France Presse.
“Marrëveshja e partneritetit gjithëpërfshirës e nënshkruar sot parashikon, ndër të tjera, ndihmë të ndërsjellë në rast të agresionit kundër një pale të marrëveshjes”, ka deklaruar Putin për shtypin pas nënshkrimit të dokumentit. Si Rusia, ashtu edhe Koreja (e Veriut) ndjekin një politikë të jashtme të pavarur dhe nuk pranojnë gjuhën e shantazhit dhe diktatit”, ka paralajmëruar ai.
Presidenti rus e ka përshkruar marrëveshjen si një “dokument vërtet revolucionar”, duke shtuar se Rusia “nuk do të përjashtojë bashkëpunimin tekniko-ushtarak” me Phenianin.
Cituar nga agjencitë ruse, lideri koreanoverior Kim Jong Un ka deklaruar se marrëveshja me Rusinë është thjesht “mbrojtëse”. Duke e përshkruar Putinin si “mikun më të mirë” të vendit të tij, ai ka përshëndetur fillimin e një “epoke të re” në marrëdhëniet me Moskën.
Koreja e Veriut “shpreh mbështetje të plotë dhe solidaritet me qeverinë, ushtrinë dhe popullin rus në zhvillimin e operacionit special ushtarak në Ukrainë për të mbrojtur sovranitetin, interesat e sigurisë dhe integritetin territorial”, i ka thënë ai mysafirit të tij.
“Ne vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj sistematike dhe të vazhdueshme për politikën ruse, përfshirë çështjen e Ukrainës”, ka thënë Vladimir Putin në kthim.
Presidenti rus është pritur me një tapet të kuq dhe një ceremoni madhështore në Sheshin Kim Il Sung, me një bandë ushtarake dhe valle të sinkronizuara.
Kreu i Kremlinit ka mbajtur pastaj bisedime me liderin koreanoverior për një orë e gjysmë së bashku me delegacionin e tij, të ndjekur nga një takim privat. Presidenti rus e ka ftuar Kim Jong Un të vizitojë Moskën.
Gjatë natës, Kim e ka pritur Putinin në aeroport dhe e ka përqafuar, duke nënvizuar një forcim të marrëdhënieve, që shkakton shqetësime në Seul dhe Uashington.
SHBA dhe aleatët e saj kanë akuzuar Korenë e Veriut se ka furnizuar me municione dhe raketa Rusinë për luftën në Ukrainë dhe kanë frikë se vizita e Putinit mund të çojë në dërgesa të reja.
Një epokë e re
Kim Jong Un ka lavdëruar afërsinë mes Moskës dhe Phenianit dhe një epokë të re në marrëdhëniet bilaterale.
“Marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona po hyjnë në një epokë të re të prosperitetit të madh, e pamundur të krahasohet madje edhe me periudhën e marrëdhënieve sovjeto-koreane të shekullit të kaluar”, ka deklaruar lideri koreanoverior, cituar nga agjencitë e lajmeve ruse.
Kjo është vizita e parë e Vladimir Putinit në Korenë e Veriut pas 24 vjetësh dhe takimi i dytë mes dy liderëve brenda më pak se një viti.
Në shtatorin e vitit të kaluar, Kim Jong Un ka udhëtuar me një tren të blinduar në Lindjen e Largët ruse për një samit me kreun e Kremlinit, të fokusuar në hapësirën kozmike.
Moska dhe Pheniani janë aleatë që nga fundi i Luftës së Koresë (1950-1953), por janë afruar gjithnjë e më shumë pas operacionit ushtarak rus të nisur në Ukrainë në 2022.
Rusia ka nevojë për mbështetjen koreanoveriore në fushën e armëve për shkak të luftës së zgjatur në Ukrainë, ndërsa Koreja e Veriut ka nevojë për mbështetjen ruse për ushqime, energji dhe armë të avancuara për të lehtësuar presionin e sanksioneve”, ka deklaruar për AFP Koh Yu-hwan, profesor emeritus i studimeve koreanoveriore në Universitetin Dongguk.
“Me gjithë këtë, çështja e një aleance ushtarake duhet të analizohet veçmas nga ajo që shpallet publikisht dhe ajo që diskutohet realisht në takimet mes dy liderëve”, ka thënë ai, duke shtuar se Moska mbetet e kujdesshme dhe nuk dëshiron “të prishë plotësisht marrëdhëniet me vende si Koreja e Jugut”.
Shqetësime perëndimore –
Amerikanët dhe evropianët janë të shqetësuar për muaj të tërë nga afërsia e përshpejtuar ndërmjet Moskës dhe Koresë së Veriut, duke i akuzuar koreanoveriorët se furnizojnë Rusinë me sasi masive municionesh dhe raketash.
Në këmbim, sipas Uashingtonit dhe Seulit, Rusia ka furnizuar Korenë e Veriut me ekspertizë për programin e saj të satelitëve dhe ka dërguar ndihma për të përballuar mungesën e ushqimit në vend.
Në mars, Rusia ka përdorur të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të ndaluar monitorimin e shkeljeve të sanksioneve ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut, një dhuratë e madhe për Phenianin.
Mbështetja e Vladimir Putinit i lejon Kim Jong Un “të zvogëlojë varësinë e tij” nga një tjetër aleat kyç, Pekini, ka deklaruar për AFP Vladimir Tihonov, profesor i studimeve koreane në Universitetin e Oslos.
Në të njëjtën kohë, presidenti rus “siguron qasje të sigurt në predha artilerie të tipit sovjetik, që i duhen në sasi të mëdha aktualisht”, ka shtuar ai.
Kjo vizitë shtetërore është një mënyrë përmes së cilës Putin falënderon Korenë e Veriut për “përmbushjen e rolit të ‘arsenalit për autokraci’, duke mbështetur pushtimin e tij të paligjshëm në Ukrainë”, ka deklaruar Leif-Eric Easley, profesor në Universitetin Ewha në Seul.