Partizani vitet e fundit ka nxjerrë shumë futbollistë të rinj e të talentuar, të cilët janë larguar më pas jashtë vendit, duke vijuar kështu në mënyrën më të mirë traditën e klubit 17 herë kampion të vendit.
Megjithatë me përfundimin e këtij sezoni, tek klubi i “Demave” po ngjall kuriozitet mundësia për të rikthyer në “shtëpi”, disa prej futbollistëve, të cilët kanë lënë gjurmë sezone më parë, me fanellën e kuqe, kjo pasi atyre u ka përfunduar kontrata aktuale me klubet ku janë aktivizuar deri më tani.
ÇINARI – Së fundmi, dy lojtarë që kanë spikatur me fanellën e kuqe kanë dalë lojtarë të lirë, duke u shndërruar në opsione për Partizanin. Eraldo Çinari konfirmoi dje ndarjen nga skuadra e Shkëndijës së Tetovës. Sulmuesi shkodran u tentua nga Partizani edhe në muajin janar, por dëshira e tij duket rikthimi në një ligë të fortë jashtë rajonit tonë. Ama nëse kjo dëshirë s’plotësohet, drejtuesit e kuq janë të gatshëm të ndërhyjnë.
BARDHI – Jurgen Bardhi në fund të muajit del i lirë. 26-vjeçari përfundon kontratën me klubin e Keçiorengyçy në Ligën e Parë turke. Në këtë sezon ai ka qenë titullar fiks në ekipin e tij me 33 paraqitje, duke koleksionuar 3 gola dhe 5 asiste. Edhe fantazisti nga Fushë-Kruja mendon për të luajtur në një kampionat të huaj, por “plani B” mbetet Partizani. Klubi i kuq e ka telefonuar disa herë në këto tre sezone që Bardhi luan jashtë.
BITRI – Beratasi Eneo Bitri dje njoftoi largimin nga Krakiova dhe rikthimin te Valerenga në Norvegji. Mbrojtësi ka kontratë deri në vitin 2026 me norvegjezët, por qëndrimi atje duket i vështirë, pasi vetë mbrojtësi nuk preferon të vazhdojë. Rikthimi te Partizani ka qenë gjithnjë opsion për Bitrin.