Nga 11 janari i vitit të ardhshëm e deri në orën e hapjes së qendrave të votimit, kanë kohë partitë politike që zyrtarisht të bëjnë fushatë zgjedhore.
Por, kësaj siç duket do t’i paraprijë një parafushatë disa mujore, për zgjedhjet e përgjithshme që për herë të parë mbahen në afat të rregullt e data caktohet rreth 6 muaj përpara.
Këtë të mërkurë, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur një sërë takimesh në Podujevë, duke nisur nga takimi me shoqatat e dala nga lufta e vizita në biznese e deri në konsumimin e çajit në çajtore të qytetit. Tubime me qytetarë ka mbajtur në Gjilan edhe Lëvizja vetëvendosje.
Sipas Afrim Kasollit, muajt e vjeshtës do të jenë intensiv me takime të tilla të partive politike me qytetarë.
“Këto janë zgjedhjet e para në Kosovë e pas pavarësisë që po mbahen në afat të rregullt zgjedhor, natyrisht do ketë takime dhe përpjekje për të mobilizuar opinionin dhe kjo vërehet edhe nga partia në pushtet që është duke i përdorur disa aksione në veri si instrumente elektorale por edhe partitë tjera opozitare do të jenë më intezive për të mobilizuar bazën e tyre”, tha ai.
Që fushata zgjedhore nis më 11 janar, u tha edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tek përmenden afatet kryesore që do ta përcjellin procesin.
“Deklarimi i partive politike për formimin e koalicioneve zgjedhore ka një afat prej 16 gushtit deri më 30 gusht. Aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 1 shtator dhe përfundon më 11 dhjetor 2024. Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim do të bëhet me 7 janar. Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje fillon më 11 janar dhe përfundon në ditën e zgjedhjeve, para hapjes së vendvotimeve”, tha Arianit Elshani.
Por, partitë politike duhet të respektojnë këtë afat kohor të përcaktuar me Ligj, thonë nga GLPS, të cilët shtojnë se partitë mund të gjobiten për organizime para fushatës.
“Meqë sipas ligjit për zgjedhje është e përcaktuar edhe afati kohor i zgjatjes së fushatës zgjedhore, me shkeljen e këtij ligji partitë politike normalisht që edhe parashihen edhe të gjobiten…Përderisa ligjërisht është e përcaktuar që partitë politike kanë të drejtë të bëjnë mbledhje dhe tubime vetëm gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, gjithçka jashtë këtij afati kohor, jashtë këtyre normave normalisht se konsiderohet shkelje ligjore”, tha Blerina Istrefi – Kordinatore në GLPS.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025.