Ka nisur seanca plenare, megjithatë janë zhvilluar tensione në hyrje të Kuvendit. Siç edhe pritej deputetë të opozitës kanë vijuar me skenarin e kaosit dhe të dhunës.
Deputetët e opozitës janë përplasur me Gardën duke tentuar të hyjnë me forcë në Kuvend.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj u shpreh se deputetët e përjashtuar të opozitës nuk mund të hynë në sallë. Gjithashtu bëri thirrje që punonjës të Gardës, të mos sulmohen por të respektohen në punën e tyre.
Gjithashtu Spiropali u ndal edhe tek konferenca e Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri për për çeljen e negociatave për Grup-Kapitujt “Themelorët”.
“Tashmë e dimë, në datën 15 tetor, në Luksemburg, u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, për çeljen e negociatave për Grup-Kapitujt “Themelorët”.
Ky është moment historik, hap i madh përpara drejt realizimit të ëndrrës rilindase naimiane se për ne, shqiptarët, dielli lind nga perëndon. Është një gur themeli në rrugëtimin tonë drejt ribashkimit me Europën, të cilës i përkasim genetikisht, gjeografikisht, historikisht, kulturalisht, me rrënjë, me frymë, me perspektivë e vizion. 15 tetori kurorëzoi përpjekjet e mëdha të deritanishme të Shqipërisë drejt Europës, arritjet tona të dukshme dhe të padiskutueshme në progresin e reformave demokratizuese dhe integruese, të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit, luftës kundër krimit, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Ne kemi dëshmuar me vepra, me reforma, se kemi vetëm një plan A drejt të ardhmes sonë, drejt Bashkimit Europian. Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm kështu përmbushim aspiratën e të gjithë shqiptarëve, të cilët si asnjë popull tjetër në Ballkanin Perëndimor, na mbështesin, nxisin e frymëzojnë në udhën drejt familjes europiane”, tha ajo.