Amfiteatri antik, monumenti më i madh i Shqipërisë, i mbuluar nga një lagje e madhe për disa shekuj, sheh dritë brenda katër vitesh në vitin 1970. Teatri “Aleksandër Moisiu” ndërtohet me kolona, mbi Termat romake, edhe ky i fundit, njëlloj si amfiteatri, datohet në shekullin e 2-të të erës sonë.
150 metra më tej, arkeologu Vangjel Toçi, kishte rizbuluar mozaikun e shek 4-3 para erës sonë, i cili morri emrin e kryevajzës së qytetit “Bukuroshja e Durrësit”.
Fred Shuke sapo kishte mbushur 15 vjeç dhe kalonte pjesën më të madhe të ditës, duke plotësuar me guralecë mozaikët e piktorit Gavril Priftuli.
“Mirditorja” dhe “Vajzat qitëse” ishin dy nga kompozimet në mozaik të Vilit – kujton mësuesin e tij të parë Fred Shuke, adoleshenti që shumë shpejt u bë mik i artistëve t ë tjerë durrrsakë që punonin në muze, Nikolet Vasia dhe Nelo Lukaçi.
Falë kujdesit të drejtorit Toçi, djaloshi, që sapo kishte përfunduar shkollën 8-vjeçare punësohet në Muzeun Arkeologjik.
Jeta e tij lidhet ngushtë me artin dhe kulturën e qytetin antik.
Familja e tij banonte në shtëpinë nr 1 pranë Torrës mesjetare. I jati vuante një dënim absurd në burg dhe Fredi hoqi dorë për disa vite nga shkollimi.
Muzeu u bë shtëpia e tij e dytë.
“Drejtori Vangjel Toçi ishte njeri i mrekullueshëm dhe i pëlqeu pasioni im për punën. Në të njejtën kohë, numri I punonjësve ishte shtuar edhe me një moshatar tjetër adoleshent, Ibrahim ReçI” – kujton ai.
Në vitin 1970 punimet për zbulimin e amfiteatrit antik të Durrësit kishin përfunduar, dhe largimi i familjeve të tjera mbi kodër dukej i pamundur për shkak të mungesës së fondeve.
Prof. Vangjel Toçi paraqet projektin e Parkut Arkeologjik, ku përfshihen të gjithë punonjësit e Muzeut. Punimet i drejtonte Agim Kavaja – kujton Fredi, që rreshtohet me grupin e restauratorëve.
Në lulishten pranë shëtitores “Vollga”, siç njihej nga durrsakët, shtrohen bazamentet prej betoni dhe ngrihen kolonat dhe kapitelet e parë. Një pitos I përmasavve të mëdha, që përdorej për transportin e drithit zbukuron një nga shesh-pushimet.
Mjeshtri restaurator Spiro Koçi, e bashkë me të edhe Xhevdet Haxho e Ilia Paluku drejtojnë proceset në të gjithë hapësirën, njëlloj si në qytete të tjera antike e mesjetare – dëshmon Fred Shuke.
Kolonat vijnë në Parkun Arkeologjik, kryesisht nga Pusi i Toponasë, dhe më pas zhvendosen drejt Forumit rrethor, si dhe minisheshit të njohur me emrin Kolonat, aty ku po pijmë edhe kafenë e mëngjesit.
Pesë dekada më vonë, Parku thuajse nuk ekziston.
Fred Shuke në mesin e viteve 1970 fillon të punojë si specialist në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Sapo kishte përfunduar shkollën e mbrëmjes “Naim Frashëri” dhe filon të frekuentojë Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Puna e kërkonte shkollimin artistik – shprehet Fredi.
Djaloshi nuk I humbet lidhjet me artin, përkundrazi. Ende pa e kryer shërbimin ushtarak Fredi I bashkëngjitet artistëve Gavril Priftuli dhe Nikolet Vasia, dhe fillojnë punën për mozaikun “Festa e Çlirimitt”, vepër me përmasa 6 x 3 metra, e punuar në pesë pjesë.
“Kemi mbledhur guralecët shumëngyrësh nga brigjet e lumenjve në Sarandë deri në Drin, lumi më i pasur me gurë ngjyrësh – tregon tani që kanë kaluar 50 vjet nga përfundimi i veprës, që ndodhet edhe sot aty ku mbarojnë shkallaret që të çojnë ne Mauzoleun e Dëshmorëve të qytetit antik.
Teknika që shfrytëzuan artistët ishte mjaft e përparuar, thotë Fredi teksa tregon fotot e ditës së përurimit të “Festës së Çlirimit”. Ndërsa një teknikë tjetër u përdor nga të dy artistët durrsakë në realizimin e mozaikut “Kushtrimi” në Muzeun Historik “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” në Krujë.
Formimi profesional i Fred Shukes plotësohet në Atelienë e Monumenteve të Kulturës në Durrës, ku specialisti I ri angazhohet me mozaikët e antikitetit dhe mesjetës të zbuluar në qytet.
Shuke kujton punën në mozaikun vertical të Kapelës së amfiteatrit, si dhe atë të Pallatit të Sportit.
Po ashtu edhe Bazilika e Arapajt, ku mozaiku u zhvendos dhe u restaurua nga specialistët Odisea dhe Kastrioti në kryeqytet, për tu rikhyer përsëri në zonën kodrinore, ku ishte zbuluar Bazilika.
Mozaiku me kalë deti ishte gjetur nga prof Vangjel Toçi në vitin 1947, por rihapja e tij 40 vjet më vonë krijoi probleme të mëdha me ujrat nëntokësore.
“Pompa që vendosëm e zgjidhi përkohësisht nxjerrjen e ujrave dhe restaurimin e pjesshëm, por spostimi i mozaikut ishte i pamundur – kujton Fred Shuke.
Fred Shuke ka jetuar dhe ka punuar në Pordenone, (Itali) për 30 vite. Tashmë ai ka dalë në pension, dhe sa herë që vjen në Durrës bisedat ndalojnë në monumentet antike ku ka punuar.
Vangjel Toçi ishte një figurë e ndritur, e paharrueshme – vlerëson Shuke drejtorin e tij të parë. Falemnderit prof Vangjjelit që morra këtë drejtim në jetë – nënvizon Fred Shuke.
Tani që po i drejtohet 70 vjetëve Fred Shuke kujton se dy diplomat në shkollat e mbrëmjes në Durrës e Tiranë, nuk do të kishin asnjë vlerë pa mësimin e përhershëm në studiot e Gavril Priftulit dhe Nikolet Vasisë, dritat e të cilave mbeteshin të ndezura deri në mesnatë.