Në mesin e viteve ’90, kur shqiptarët ikën masivisht drejt fqinjit Greqi, të shtrënguar nga varfëria e thellë në atdhe, pagat në vendin tonë ishin mesatarisht te 3 mijë deri 7 mijë lekë në muaj. Në Greqi ata merrnin nga 3 deri 7 mijë dhrahmi në ditë, ose 60 deri 100 mijë dhrahmi në muaj. Në lekë ata merrnin nga 1200 deri 2800 lekë në ditë ose 24 mijë deri 40 mijë lekë në muaj. Kështu, ata merrnin rreth 3 deri pesë herë më shumë në Greqi sesa në Shqipëri.
Sot, pas 3 dekadave, historia po përsëritet, por në spektër krejt të ndryshëm. Janë të huajt ata që duan të vijnë të punojnë në Shqipëri. Dhe bëhet fjalë për nepalezë, filipinas, bangladeshas, etj., të cilët për shkak të varfërisë dhe pagave të ulta, zgjedhin të emigrojnë shumë më larg, në kontinent tjetër. Ndërsa në atdhe marrin nga 120 deri 180 dollarë në muaj, këtu presin të marrin pesë herë më shumë ose 600 dollarë.
***
Biznesmenë të ndryshëm kanë dalë sonte në media për të folur mbi mungesën e fuqisë punëtore duke treguar se qeveria po tenton t’i mbështesë duke lidhur marrëveshje punësimi sezonal të emigrantëve të huaj.
Raportohet se bëhet fjalë për rreth 40 mijë punëtorë të profesioneve të ndryshme, nga vende si Filipinet, Nepal, etj.
Zyrtarisht nga qeveria nuk ka një deklaratë, por sipas biznesit, ekzekutivi është në fazën finale të nënshkrimit të një marrëveshjeje për të importuar punonjës të kualifikuar nga jashtë.
Sipas tyre, mungesa e fuqisë punëtore në industrinë e veshjeve dhe të këpucëve si dhe në turizëm, ka bërë që qeveria shqiptare të marrë masa shtesë për të garantuar mirëfunksionimin e bizneseve.
Në Nepal, paga mujore në 2023 ishte 129 dollarë, kurse në Filipine, 186 usd.
Në Shqipëri, aktualisht paga më e ulët është zyrtarisht 40 mijë lekë ose diçka më shumë se 400 usd.
Bizneset turistike thonë se kanë nevojë për 15 mijë punëtorë, për struktura hoteleri dhe shërbimesh.
Bizneset fasone thonë se kanë nevojë për disa dhjetëra mijë punëtorë.
Nikolin Jaka, President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë ishte pjesë e delegacionit në Filipine ku janë bërë negociata për rreth 40 mijë punëtorë të kualifikuar.
Ai tha për mediat se u është kërkuar garanci juridike për kontratat.
Sipas tij, qeveria e Filipines ka kërkuar për punonjësit e saj pagë jo më pak se 500-600 euro për nivelet më të ulëta dhe dy herë më shumë për nivelet më të larta profesionale.
“Ata duan një garanci juridike dhe kanë kërkesë për pagën minimale. Nuk pretendohet që punonjësit nga Filipinet të vijnë në Shqipëri dhe të punojnë me një pagë më pak se 500-600 euro neto.
Këto janë kriteret që qeveria e Filipines vuri përballë delegacionit, ata kërkojnë siguri juridike për kontratat dhe ndërkohë pagë minimale të paktën 600 euro për punët fillestare, ndërsa ato me nivel të lartë si inxhinierë, teknikë, etj, ajo është kërkuar dyfish”, – thotë Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.