Ministria e Drejtësisë ka përzgjedhur avokatin që do të përfaqësojë Kosovën në çështjen juridike për pronat e Kosovës në Mal të Zi. Tenderi për këtë çështje kap vlerën e afro 85 mijë eurove.
Kosova ka paditur Malin e Zi për një pronë në Kotor. Bëhet fjalë për kthimin e rreth 4 mijë e 500 metrave katrorë pronë në shëtitoren Rafailoviq apo pushimorja “Ganimete Tërbeshi”.
E për këtë rast shteti duhet të angazhojë një avokat, të cilin tashmë e ka gjetur Ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, shkruan Demokracia.com.
Këtë tender e ka fituar avokati nga Mali i Zi, Radosh Lolo Kastratoviq, i cili nuk ka pasur fare konkurrencë.
“Përfaqësimi i Republikës së Kosovës në çështjen juridike – pushimorja “G. Tërbeshi” në Mal të Zi. Vlera e përgjithshme e kontratës 84,700.00 euro. Data e dhënies së kontratës 01.07.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 1. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata, avokat Radosh Lolo Kastratoviq”.
Në përshkrimin e shkurtër të lëndës së kontratës, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se procesi për këtë çështje juridike është drejt fundit.
Sipas kësaj, Kosova ka paditur Malin e Zi, Komunën e Budvës, Sunraf beach – investitor (aty ku gjendet prona), si dhe një kallëzim penal ndaj personave që kanë falsifikuar dokumentet e Kosovës.
“Ministria e Drejtësisë /Avokatura Shtetërore është duke e përfaqësuar Republikën e Kosovës në çështjen juridike – pushimorja “G. Tërbeshi”, në cilësinë e të paditurës dhe çështja është në përfundim. Kontesti ka të bëjë me anulimin e kontratës me të cilën Kosova kishte blerë një pronë në Kotor për shfrytëzim nga pushimorja Ganimete Terbeshi, kjo gjatë viteve të 60-ta. Duke pasur parasysh se nga kjo çështje ka rrjedhur edhe kontesti tjetër, në te cilin tani Republika e Kosovës është në cilësinë e paditësit me kërkesën për t`i liruar pronat të cilat tanimë ishin uzurpuar nga persona të ndryshëm e të cilat prona po ashtu ishin pronë e pushimores”.
Ministria e Drejtësisë / Avokatura Shtetërore ka ushtruar kërkesë që të iniciojë procedurat ligjore për emërimin e përfaqësuesit të autorizuar ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës në procedurën civile të iniciuar nga Avokatura Shtetërore.
“Duke marrë parasysh kërkesat e Avokatura Shtetërore, Divizioni i Prokurimit të Ministrisë së Drejtësisë ka nisur procedurat për përzgjedhjen e firmës juridike (apo avokatit) me përvojë në procedurat civile. Detyrat specifike në kontraktimin e kompanisë / avokatit përkatës për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në këtë çështje juridike, janë paraqitur në këto Terma të Referencës”, thuhet në njoftimin që ka bërë ministria e Albulena Haxhiut.
Tutje janë treguar edhe detyrat e përgjithshme për avokatin.
“Firma juridike / apo avokati që e përfaqëson Republikën e Kosovës, përveç detyrave specifike, është e obliguar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në interes të mbrojtjes së interesave të Republikës së Kosovës. Firma juridike / apo avokati i kontraktuar do të sigurojë që të gjitha veprimet e nevojshme janë ndërmarrë në interes të përfaqësimit dhe mbrojtjes së suksesshme të interesave të Republikës së Kosovës ndaj paditësve. Firma juridike / apo avokati i kontraktuar është i obliguar të bashkëpunojë dhe të informojë Avokaturën Shtetërore për të gjitha veprimet e ndërmarra në këtë proces. Kopjet e dokumenteve të dorëzuara në Gjykatë dhe çdo korrespondencë eventuale që ka të bëjë me çështjen i dërgohet Avokaturës Shtetërore. Firma juridike / apo avokati i kontraktuar duhet të njoftojë me raporte të rregullta mujore për mbarëvajtjen e procesit dhe veprimet e ndërmarra”.
Në fund thuhet se avokati që do të zgjidhet për të përfaqësuar Republikën e Kosovës do të ketë qasje të plotë në sfondin e procesit dhe do të marrë të gjitha materialet mbështetëse në afatet kohore të arsyeshme, në mënyrë që të sigurojë një mbrojtje të suksesshme të interesave të saj.