Kryeministri socialist spanjoll Pedro Sanchez ka përdorur të martën të drejtën për të heshtur gjatë dëshmisë së tij në rezidencën zyrtare të kreut të qeverisë nga gjykatësi që drejton hetimin për korrupsion dhe trafik influencash që përfshin gruan e tij Begona Gomez, raporton AFP.
Dëgjimi zgjati vetëm disa minuta, vetëm dy minuta, sipas avokatit të gruas së kryeministrit, ose rreth 20 minuta, sipas avokatit të partisë së ekstremit të djathtë Vox, pjesë në hetim sipas ligjit spanjoll.
I cituar si dëshmitar vetëm për komponentin e trafikut të influencës të rastit, Pedro Sanchez kishte gjithashtu të drejtën për të mos iu përgjigjur pyetjeve, pasi ligji spanjoll autorizon qytetarët të heshtin kur një hetim lidhet me bashkëshortin e tyre. Gruaja e tij gjithashtu u thirr në një dëgjesë më 19 korrik, por gjithashtu refuzoi të përgjigjej në pyetje.
Deri më tani ajo nuk ka komentuar publikisht për rastin, ndërsa kryeministri Sanchez i ka mohuar me forcë akuzat kundër saj, duke pretenduar se ato janë të pabaza dhe të orkestruara nga kundërshtarët politikë të djathtë. Pas hapjes së dosjes në prill, ai kishte njoftuar se do të pezullonte aktivitetin për pak kohë për të reflektuar nëse do të qëndronte ose jo në krye të qeverisë, duke vendosur përfundimisht të mbajë postin e tij.
Ky rast është hapur përmes përdorimit të një instrumenti ligjor unik të drejtësisë spanjolle, i quajtur “akuza e popullit”, që lejon personat fizikë të bëjnë ankesa penale kundër të tretëve. Gjykatësit kanë vendimin nëse do të veprojnë apo jo më tej, kështu që jo të gjitha akuzat e formuluara përmes këtij instrumenti çojnë në një hetim gjyqësor.
Ankesa në këtë rast u bë nga “Duart e Pastra”, një grup aktivistësh kundër korrupsionit i udhëhequr nga Miguel Bernad, një avokat dhe politikan që kandidoi për një parti të ekstremit të djathtë në zgjedhjet evropiane. Një tjetër parti e ekstremit të djathtë, Vox, iu bashkua paditësit.
Prokuroria e Madridit kërkoi në prill mbylljen e këtij rasti “për mungesë provash”, por gjykata vendosi të vazhdojë hetimin paraprak.