Vjosa Osmani, presidente e Republikës së Kosovës, tha se nëse e shohim raportin e fundit të UNWomen dhe Transparency International tregojnë që pikërisht shtetet që kanë përfaqësim me të madh gjinor në lidershipin e tyre, ato kanë treguar edhe rënie të korrupsionit vazhdimisht vit pas viti, si dhe përmirësim në nivelin e transparencës se institucioneve.
Këtë deklarim, Osmani e bëri të martën në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ku u publikua raporti “Dimensioni gjinor i korrupsionit”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ajo tha se një ndër parimet bazike të ndërtimit të shoqërisë dhe institucioneve është barazia gjinore.
“Barazia gjinore nuk është më sfidë në shumicën dërrmuese të këtyre shteteve, të cilat janë po ashtu të suksesshme në luftimin e korrupsionit”, tha Osmani.
Presidentja tha se gratë në pozita udhëheqëse kanë treguar gjithmonë edhe një perspektivë shtesë.
“Gratë në pozitat udhëheqëse kanë treguar gjithmonë edhe një perspektivë shtesë, u përmend gjithë përfshirja si një nder parimet themelore, përkushtim, empati ndaj qytetareve edhe cilësi të cilat janë të domosdoshme edhe ndaj luftës kundër korrupsionit. Pra etika në pozitat udhëheqëse ka qenë në shumicën e rasteve parim, kjo ndikon pastaj edhe në shtyllën e demokracisë në këto shtete”, tha Osmani.