Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas aksidentit ajror që ndodhi mes një helikopteri ushtarak dhe një avioni, në Uashington të SHBA-së.
Përmes një postimi në “X”, Osmani u shpreh se është thellë e pikëlluar nga ky aksident, duke shtuar se me zemër është pranë familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi.
“E pikëlluar thellësisht nga përplasja tragjike ajrore pranë Uashingtonit, DC. Zemra ime është me familjet dhe të dashurit e atyre që humbën jetën në këtë tragjedi të paimagjinueshme. Kosova qëndron pranë jush në pikëllim dhe solidaritet gjatë kësaj kohe zemërthyese”, shkroi Osmani.
Më herët reagoi edhe presidenti amerikan, Donald Trump, duke thënë se një aksident i tillë është i dyshimtë dhe duke kërkuar llogari se përse helikopteri nuk është sinjalizuar nga kulla e kontrollit, për avionin që ka përballë.
“Aeroplani ishte në një linjë të përsosur dhe rutinë afrimi drejt aeroportit. Helikopteri po shkonte drejt në aeroplan për një periudhë të gjatë kohore. Është një natë e kthjellët, dritat në aeroplan po dukeshin, pse helikopteri nuk u ngjit, as u ul, as u kthye. Pse kulla e kontrollit nuk i tha helikopterit se çfarë të bënte në vend që të pyeste nëse e panë aeroplanin. Kjo është një situatë e keqe që duket se duhet të ishte parandaluar. Jo mirë!!!” u shpreh ai.
Aeroplani dhe helikopteri ushtarak u përplasen mbi lumin Potomac. Në aeroplan raportohet të kenë qenë 64 pasagjerë, teksa në helikopterin ushtarak vetëm tre persona.
Autoritetet kanë nisur kërkimin e trupave dhe përpara mediave amerikane më herët deklaruan se nuk kanë shpresa se mund të gjejnë ndonjë të mbijetuar.