Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Në takim u diskutua lidhur me përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Kryesuesi i KQZ-së, e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me çështjet që sipas KQZ-së është me rëndësi të merren parasysh gjatë vlerësimeve rreth caktimit të datës së zgjedhjeve.
Poashtu, në këtë takim u diskutua edhe për votimin nga mërgata dhe hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që kjo e drejtë të realizohet siç është përcaktuar në ligjin e ri.
Poashtu Presidentja potencoi rëndësinë që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë edhe për personat me nevoja të veçanta.
Presidentja Osmani, ndërkaq shprehu besimin se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që procesi zgjedhor të realizohet duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe standardet më të larta demokratike.