Volodymyr Zelensky e di dhe ia thonë ‘Nuk përfundon këtu.” Është me shpatulla pas murit dhe është i sigurt se ka humbur aleatin e tij më të madh: presidenti amerikan, I cili e ka injoruar, pastaj i ka treguar muskujt. Tani e tall duke e quajtur “komik që nuk bën për të qeshur” dhe e delegjitimon si një “diktator” pa mbështetje.
Pasi ndërpreu misionin në Dubai dhe Ankara pa arritur në Riad – meqë amerikanët dhe rusët nuk e deshën në tryezën e superfuqive – në bunkerin e rrugës Bankova, njerëzit e tij e informojnë për lajme që nuk lexohen hapur. Dhe ato nuk janë të mira: “Mund të na vendosin sanksione,” i thonë.
Zërat qarkullojnë me këmbëngulje: nëse nuk heq dorë nga statusi i tij si hero, si lider i një populli të sulmuar që ka fituar me gjak të drejtën për të vendosur për veten; nëse nuk pranon të shndërrohet në një aleat të duruar dhe të nënshtruar ndaj Uashingtonit, ashtu si Lukashenko ndaj Putinit, Trump është gati ta detyrojë. Nëse është e nevojshme, do të përdorë armën e sanksioneve kundër tij dhe rrethit të tij të ngushtë.
Këtë e ka shkruar edhe Arestovych, ish-këshilltari i Zyrës Presidenciale, i cili në vitin 2023 u arratis dhe u bë kundërshtar i vendosur i Zelenskyt:
“Po shqyrtohet mundësia e sanksionimit të njerëzve pranë Zelenskyt: Mindic, Shefir, Kolyubaev, Pishchanskaya. Ata janë çelësat e arkës së thesarit të tij.”
Zelensky i ka rezistuar ushtrisë ruse, por nuk mund të mbrohet nga presioni i amerikanëve. Në zyrën presidenciale në Kiev janë të bindur se ky është mesazhi i Trumpit: nuk është më i gatshëm ta lërë liderin e shtetit me 30 milionë banorë, Ukraina të diktojë kushtet e negociatave.
Dhe sa i përket dallimeve me Biden, “ka ndryshuar vetëm taktika, jo strategjia,” thotë për Repubblica ekonomisti i njohur Oleksiy Kusch:
“Të dy kanë një objektiv të përbashkët – të frenojnë Kinën – dhe Rusia është mjeti për ta arritur këtë. Por Biden besonte se, duke ushtruar presion mbi Moskën, do të rrëzonte Putinin dhe do ta afronte Rusinë me Perëndimin. Trump, përkundrazi, mendon se kjo do ta shtyjë Moskën më pranë Pekinit dhe do ta forcojë Putinin, prandaj dëshiron ta ndalë menjëherë.”
Si? Duke çaktivizuar krizën ukrainase. Për Trumpin, Zelensky – me kërkesa si “Plani për fitoren” dhe “Propozimi për paqen” – është një pengesë.
“Në Zyrën Presidenciale mbizotëron frika dhe zemërimi.”
Drejtori i Institutit të Politikës në Kiev, Ruslan Bortnik, thotë: “Është një situatë e pazakontë, janë të shqetësuar dhe të shokuar.”
Trump ka bërë deklarata të bujshme, duke thënë se Zelensky ka vetëm “4% mbështetje popullore” dhe se “350 miliardë dollarë ndihmë kanë humbur pa gjurmë.” Por të dhënat nga Instituti i Sociologjisë në Kiev tregojnë se besimi ndaj Zelenskyt është në 57% – më lart se në dhjetor, kur ishte 52%.
Edhe sa u përket financave, sipas Kusch, llogaritë janë ndryshe: “SHBA kanë dhënë 30% të 120 miliardë dollarëve, pothuajse të gjitha si ndihmë të pakthyeshme për buxhetin. Përveç kësaj, ka edhe një vlerë që është e vështirë të llogaritet – armë, municione dhe rezerva të vjetra nga fondet speciale të CIA-s, Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit. As ata vetë nuk e dinë saktësisht sa është kjo shumë.”
Në Ukrainë nuk ka dyshime: Trump po përpiqet ta delegjitimojë Zelenskyn për t’i treguar kush ka fuqinë tani. Kur presidenti ukrainas kërkoi ndihmë të re financiare dhe propozoi shfrytëzimin e përbashkët të burimeve natyrore, Trump e vuri përballë një “propozimi të pamoralshëm” dhe e detyroi ta refuzonte.
Dhe ka edhe tre vite të tjera kërkesash të grumbulluara gjatë luftës, që MAGA dëshiron t’i shkatërrojë: çështjen e koncesioneve territoriale dhe kufijtë e vitit 1991; Krimenë dhe refuzimin për të ngrirë konfliktin; politikën e “nuk negociojmë” me “kriminelin e luftës Putin”; si dhe shtypjen e disidencës, e cila kishte nisur që para pushtimit dhe tani është në shënjestër të Trumpit dhe ekipit të tij.
“Zelensky nuk mund të përfaqësojë vullnetin e popullit ukrainas nëse nuk rikthen lirinë e shtypit dhe nuk shpall zgjedhje,” shkruan në Twitter Elon Musk.
Ndërkohë, Evropa është e përçarë dhe e dobët. Britania nuk mjafton. Zelensky e sfidon Trumpin, duke premtuar krahasime të sondazheve për besimin ndaj tyre. Por në rrjetet sociale ukrainase mbizotëron zhgënjimi dhe komentet e ashpra për “tradhtinë amerikane”.
Deputetja Mariana Bezugla nga partia e Zelenskyt është ndër ata që kanë humbur durimin: “SHBA mund të shkojnë në djall, si anija ruse në Ishullin e Gjarpërinjve.”
Por Zelensky e di se nuk mund të bëjë pa Washingtonin. Vizita e gjeneralit Kellegg, i dërguari i Trumpit, për Kievin është thjesht një manovër për të tërhequr vëmendjen. /Repubblica/