Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav ka njoftuar se është takuar të martën në Kosovë me shefin e NATO-s, Mark Rutte dhe zëvendësen e tij, Radmilla Shekerinska.
Në këtë takim, Orav theksoi se i konfirmoi mbështetjen e BE-së për misionin e NATO-s në në Kosovë, KFOR-in.
“Përballë sfidave gjeopolitike, qëndrimi në rrugën drejt BE-së është vendimtar. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm”, shkroi ai në një njoftim në X.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte gjatë qëndrimit në Kosovë pati takime të ndara edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Ato u cilësuan si rikonfirmim i angazhimit të Kosovës për siguri në rajon dhe më gjerë.
Mes tjerash, në Prishtinë ai siguroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe presidenti Donald Trump, mbeten të përkushtuara në KFOR dhe në NATO.
Teksa foli për dialogun Kosovë-Serbi, shefi i NATO-s tha se palët duhet të bëjnë kompromise, ani pse një gjë e tillë siç tha ai kërkon vendime të vështira.
“Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që të zgjedhin diplomacinë para dhunës. NATO do të vazhdojë të mbështes plotësisht normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura”.
“Për ta shtyrë përpara këtë dialog duhet të dyja palët të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromise të duhura. E kuptoj që kjo kërkon vendime të vështira, por duhet të shohim pamjen më të gjerë, pra në dobi të të gjithëve. Ky është mesazhi që do vazhdoj ta theksoj para të gjitha palëve në rajon”, tha Rutte në konferencën për media.