Ora po numëron mbrapsht për kryetaren e Qytetit të Shkupit, e cila nesër në mëngjes duhet të prezantoje planet e saj për daljen nga kriza të dy ndërmarrjeve publikë, atë të qarkullimit dhe atë të higjienës komunale.
Deri tani, kryetarja e qytetit të Shkupit Danela Arsovska arsyetohej se problemi është politik, për shkak të bllokadës së këshilltarëve të qytetit, duke nxitur një sërë reagimesh nga partitë në vend. Nga LSDM-ja i quajnë jo serioze viktimizimet e Arsovskës dhe shtojnë se ata që shkatërruan Shkupin luftojnë njëri-tjetrin në kurriz të shkupjanëve.
“Këshilli i Qytetit të Shkupit përbëhet nga 45 anëtarë të zgjedhur në zgjedhjet lokale të drejta, demokratike dhe të menjëhershme të vitit 2021, të përfaqësuar në 8 grupe këshilltarësh, të cilët përfaqësonin programet, idetë dhe projektet e tyre në zgjedhje. Deklaratat e kryetares Danela Arsovska se është e bllokuar nga të 45 këshilltarët, nuk mund t’i vendosë në të njëjtën shportë këshilltarët e LSDM-së dhe grupet e tjera këshilltarësh me këshilltarët e DPMNE-së me të cilët e promovuan programin “Për Shkupin Modern” në vitin 2021, shpejtë dhe sigurtë . As moderne, as e shpejtë dhe mbi të gjitha më i pasigurtë” thonë nga LSDM.
Arsovska dje akuzoi edhe qeverinë e kaluar, se 8 milion eurot e papaguara për transportin e studentëve, do t’i hynin në punë për të shlyer borxhet ndaj Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik. Ndërkaq, në dozën e akuzave, edhe Aleanca reagoi duke thënë se këto 8 milionë, Mickoski ia shkëputi projektit Shkup – Bllacë, nga rebalanci i buxhetit, edhe pse kjo rrugë bëhet me fonde të BERZH dhe të tjera.
“Dje Kryeministri i vendit i propozon Danella Arsovskës që mjetet e destinuara për rregullimin e bulevardit që e lidhë Shkupin me rrugën për Republikën e Kosovës në vlerë prej 8 milion eurosh të ri destinohen për ndërmarrjen publike të qytetit të Shkupit – Parqe dhe Gjelbërimë! Pra, Kryeministri propozon që të ndërpriten punimet për rrugën drejt Kosovës! Për kaq pak ditë edhe po të duan nuk mund të bëjnë më shumë!”, thonë nga ASH.
Nesër është parashikuar prezantimi i planit të ri nga ana e Arsovskës para 45 këshilltarëve të Qytetit të Shkupit dhe nëse ai miratohet, atëherë ndërmarrjet do të mund t’i rikthehen normalizimit.