Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do të takohet me përfaqësuesit e partive politike për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve. Partitë politike në vend tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim me të parën e shtetit.
Gazeta Online Reporteri.net mëson se si përfaqësues i Vetëvendosjes në këtë takim do të jetë nënkryetari, Glauk Konjufca.
Potivisht ftesës së Osmanit i është përgjigjur edhde PDK-ja. Përmes Sekretares së Përgjithshme të partisë, Vlora Çitaku, e cila në një konferencë për media theksoi se ftesa nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.
“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, kishte thënë Çitaku.
Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar të shtunën për Reporteri.net se do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani.
“Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do jep qëndrimet e LDK-së”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për Reporteri.net.
Pjesëmarrjen në këtë takim me presidenten Osmani e konfirmoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i saj, Ramush Haradinaj i cili edhe i ktheu letrën presidentes Osmani.
Haradinaj në letër tha se pas konsultimit me Kryesinë e partisë së tij është vendosur që ai të shkojë në takim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.
“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike.