Forcat ajrore izraelite kohët e fundit zbuluan detaje dhe imazhe të reja nga një prej operacioneve më komplekse dhe më të rrezikshme që kanë kryer, ku 120 trupa elita u infiltruan në territorin sirian dhe shkatërruan një qendër nën tokë të prodhimit të raketave iraniane, në kohën kur Bashar al-Assad ishte ende në pushtet dhe Izraeli nuk kishte nisur ende fushatën e tij shkatërruese ushtarake kundër Hezbollah në Liban, raporton Times of Israel.
Operacioni, i njohur si “Operacioni Many Ways” brenda ushtrisë izraelite (IDF), kishte për qëllim shkatërrimin e një kompleksi nën tokë të përdorur nga forcat iraniane për prodhimin e raketave me saktësi të lartë për Hezbollah në Liban dhe për regjimin e Assad në Siri. Kompleksi, me kodin “Deep Layer”, ishte shpuar në një mal dhe ishte pjesë e Qendrës së Studimeve dhe Kërkimeve Shkencore (CERS ose SSRC), e cila ndodhet në zonën e Masyaf në Siri, perëndim të qytetit të Hama. Vendi ndodhet mbi 200 kilometra larg kufirit të Izraelit dhe rreth 45 kilometra nga bregu perëndimor i Sirisë.
IDF ka thënë se ky kompleks ishte projekti kryesor i Iranit për armatosjen e Hezbollah. Pushtimi u realizua me sukses nga njësia elita Shaldag e Forcave Ajrore izraelite, së bashku me Njësinë 669 të kërkimit dhe shpëtimit. Asnjë ushtar izraelit nuk u plagos gjatë operacionit.
Kompleksi CERS, me kodin “Deep Layer”, ishte shpuar në një mal në zonën e Masyaf në Siri, perëndim të qytetit të Hama. Foto: Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
Irani filloi të planifikonte ndërtimin e kompleksit “Deep Layer” në vitin 2017, pas bombardimeve të Izraelit që shkatërruan një zonë prodhimi motorësh raketash të ndërtuar në tokë, e cila ishte përdorur për furnizimin e Hezbollah me municionin që do të përdorte në sulmet e 8 tetorit 2023 kundër veriut të Izraelit, një ditë pas invadimit të Hamas në jug të vendit. Shkatërrimi i kompleksit dhe lokacioneve të tjera bëri që Irani të ndryshonte strategjinë dhe të fillonte ndërtimin e një qendre që ndodhej 70-130 metra nën tokë dhe që ishte praktikisht e pamundur të shkatërrohej nga ajri. Kompleksi nuk ishte plotësisht funksional kur u sulmua nga Izraeli, por ishte shumë afër që të shpallej operacional nga Irani. Sipas IDF, të paktën dy raketa ishin prodhuar aty gjatë testimeve, dhe motorët e raketave ishin prodhuar masivisht. Kompleksi mund të kishte prodhuar midis 100 dhe 300 raketave në vit, përfshirë raketa me një rreze veprimi deri në 300 kilometra, raketa të udhëhequra me saktësi të lartë me një rreze veprimi deri në 130 kilometra dhe raketa me rreze të shkurtër prej 40-70 kilometra.
Përgatitjet për realizimin e operacionit u zhvilluan paralelisht me fushatën ushtarake kundër Hamas në Gaza, bombardimet e Hezbollah në Liban dhe ndërkohë që ushtria izraelite duhej të mbrohej kundër një barazhi raketash dhe dronësh të lëshuar nga grupet militante. Katër helikopterë transportues, dy helikopterë sulmues, 21 avionë luftarakë, pesë dronë dhe 14 avionë spiunësh dhe aeroplanë të tjerë morën pjesë në operacion.
Foto: Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF)
Në mbrëmjen e 8 shtatorit 2024, 100 trupa të forcave speciale Shaldag dhe 20 anëtarë të Njësisë 669 hipën në katër helikopterë transportues CH-53 “Yasur” dhe u nisën nga një bazë ajrore në Izrael në drejtim të Sirisë. Atëherë u bashkuan edhe dy helikopterë sulmues, 21 avionë luftarakë, pesë dronë dhe 14 avionë spiunësh dhe aeroplanë të tjerë. Të tjera 30 avionë ishin të gatshëm për të ndërhyrë në rast se diçka nuk do të shkonte sipas planit. Gjashtë helikopterët fluturuan mbi Detin Mesdhe larg bregut të Libanit, përpara se të hynin në hapësirën ajrore siriane. Ata fluturonin në një lartësi shumë të ulët për të shmangur radarët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore të Sirisë. Në atë kohë, zona e Masyaf kishte përqendrimin më të madh të sistemeve të mbrojtjes ajrore në të gjithë Sirinë, përveç Damaskut, sipas IDF, me dhjetëra radarë dhe sisteme të tjera që mund të zbulonin avionët izraelitë. Pushtimi ishte edhe më i komplikuar për shkak se forcat ruse ishin të pranishme gjithashtu në zonën bregdetare të Sirisë dhe kishin sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore.
Kompleksi mund të kishte prodhuar midis 100 dhe 300 raketave në vit, përfshirë raketa me një rreze veprimi deri në 300 kilometra. Foto: Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF)
Helikopterët fluturuan vetëm 18 minuta për të arritur nga bregu deri në kompleksin e synuar, kohë në të cilën ata nuk u zbuluan nga askush. Në të njëjtën kohë, avionët dhe dronët izraelitë nisën një valë masive sulmesh ndaj CERS dhe lokacioneve të tjera në Siri. Bombardimet kishin për qëllim si maskimin e afrimit të helikopterëve, ashtu edhe të bënin që ushtria siriane të besonte se ishte një sulm i thjeshtë, ashtu si shumë të tjerë të lëshuar gjatë viteve të fundit, përfshirë në Masyaf. Disa nga sulmet kishin për qëllim të mbanin trupat siriane sa më larg CERS. Megjithatë, disa dhjetëra ushtarë nisën menjëherë drejt kompleksit të synuar nga forcat speciale izraelite, dhe u deshën bombardime të tjera mbi rrugët afër për të parandaluar dërgimin e forcave shtesë.
Pasi trupat arritën në terren, helikopterët u ulën në lokacione të tjera në zonë ku pritën mbi dy orë që 100 trupat e komandove të përfundonin misionin. 20 anëtarët e Njësisë 669 qëndruan në helikopterët e tyre të gatshëm për të ndërhyrë në rast se komandot kishin nevojë për ndihmë. Një ekip siguroi zonën, ndërsa një tjetër iu afrua hyrjes, duke vrarë dy roje. Një tjetër ekip pushtoi majën e një kodre nga ku monitoroi sulmin me dronë të vegjël, duke qenë të gatshëm të eliminonin çdo kush që mund të i afrohej.
Pasi kompleksi nuk ishte ende plotësisht operacional, ai ishte pak i mbrojtur dhe brenda tij nuk kishte askënd. Trupat izraelite vendosën 300 kg eksplozivë brenda kompleksit nën tokë. Eksplozioni që pasoi u ndje si një tërmet i vogël. Foto: Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF)
Trupat e komandove kishin me vete edhe një ATV për t’u lëvizur më shpejt brenda kompleksit nën tokë, ku duhet të vendoseshin bombat – gjithsej 300 kg eksplozivë. Pasi hipën përsëri në helikopterët e tyre, bombat u aktivizuan nga distanca dhe e gjithë brendia e kompleksit nën tokë u shkatërrua. Eksplozioni nuk ishte i dukshëm nga sipërfaqja, por u ndje si një tërmet i vogël. Disa nga pajisjet, si ATV-ja, u braktisën. Qindra ushtarë sirianë mbërritën në CERS rreth një orë pas largimit të trupave izraelite. IDF vlerësoi se ka vrarë gjithsej 30 roje dhe ushtarë sirianë gjatë operacionit. Shtypi shtetëror sirian raportoi për 14 të vdekur dhe 43 të plagosur. Kompleksi nuk përdoret më dhe Irani është tërhequr nga Siria pas rënies së regjimit të Assad.