Këshilli i Sigurimit i OKB-së hodhi poshtë të hënën një rezolutë të propozuar nga Rusia për ndalimin “përgjithmonë” të vendosjes dhe përdorimit të çdo arme në hapësirë ose kërcënimin e saj, informon Reuters.
Moska e dorëzoi tekstin pasi muajin e kaluar vuri veton ndaj një rezolute në Këshill të hartuar nga Shtetet e Bashkuara që u bën thirrje të gjitha vendeve të parandalojnë një garë armatimesh në hapësirë. Uashingtoni reagoi ndaj bllokadës duke shprehur dyshime për mundësinë që pala ruse të ketë diçka për të fshehur.
Të hënën, votat e 15 anëtarëve të Këshillit u ndanë: vetëm shtatë pro, kundër minimumit nëntë të kërkuar dhe shtatë kundër.
Pesë anëtarët e përhershëm – SHBA, Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca – kanë të drejtën e vetos, përmes së cilës ata mund të bllokojnë një rezolutë që merr të paktën nëntë vota.
“Sot jemi këtu sepse Rusia po përpiqet të largojë vëmendjen ndërkombëtare nga zhvillimi i një sateliti të ri, me pajisje bërthamore”, tha ambasadori amerikan Robert Wood para votimit.
Ai akuzoi gjithashtu Moskën për lëshimin të enjten e kaluar të një sateliti me orbitë të ulët, për të cilin Uashingtoni beson se është “ndoshta një kundërarmë hapësinore që ne mund të supozojmë se është e aftë të sulmojë satelitë të tjerë në orbitë të ulët”. Ai shtoi se “Rusia e vendosi këtë kundërarmë të re hapësinore në të njëjtën orbitë si një satelit i qeverisë amerikane” dhe lëshimi i 16 majit u parapri nga vendosja e satelitëve të tjerë në orbitë të ulët, “ndoshta nga sistemet kundër hapësirës”, në 2019 dhe 2022.
Ambasadori rus në OKB, Vasili Nebenzia, u përgjigj: “As nuk e kuptova se për çfarë po fliste”. Ai argumentoi se rezoluta e propozuar nga Rusia mbulon si armët e shkatërrimit në masë, ashtu edhe çdo lloj tjetër arme, dhe synon të ndalojë një garë armësh në hapësirë.
I presionuar nga homologu i tij rus, diplomati amerikan kundërshtoi formulimin e rezolutës, e cila synon “një mekanizëm të përhershëm detyrues që nuk mund të verifikohet”. “Unë e kam parë këtë film më parë,” tha Wood.
Reuters tregon se formulimi të kujton një propozim të bërë në vitin 2008 nga Rusia dhe Kina për një traktat që do të ndalonte “çdo armë në hapësirë”, kërcënimet dhe “përdorimin e forcës kundër objekteve në hapësirë”. Qasja nuk u mbështet ndërkombëtarisht, kujton agjencia.
Traktati i Hapësirës së Jashtme i vitit 1967 ndalon tashmë vendet nënshkruese, përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, të vendosin në orbitë rreth Tokës çdo objekt që mban armë bërthamore ose ndonjë armë tjetër të shkatërrimit në masë.
Uashingtoni ka akuzuar Moskën për zhvillimin e një arme bërthamore anti-satelitore për vendosjen në hapësirë, por pala ruse e ka mohuar një gjë të tillë. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se vendi i tij kundërshton instalimin e armëve bërthamore në hapësirë.