Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën, Jim O’Brien, ka reaguar për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës për mbylljen e komunave ilegale. Ai i quajti “të pakoordinuara dhe provokuese”, teprimet e qeverisë së Kosovës, ndërsa kryeministrit Albin Kurti i bëri thirrje që të konsultohet dhe të mos e ndikojë negativisht partneritetin Kosovë-SHBA.
O’Brien shpërndau edhe reagimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
“Siç e bëri të qartë ambasada e SHBA-së në Kosovë se SHBA-ja është e shqetësuar nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës. Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjithë të përfshirët dhe të prekurit. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, ka shkruar ai.
Ambasada amerikane mbrëmë tha se veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit të tyre me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.
“Me urdhër të autoriteteve politike të Qeverisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar sot, më 30 gusht, operacione kundër institucioneve të mbështetura nga Serbia në veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ndër të tjera ambasada.
Gjithashtu, kritika ka pasë edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe ambasadorë të vendeve aleate.