Gjatë vizitës së tij në Ballkan, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka bërë thirrje për respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për RTS në Beograd, O’Brien theksoi rëndësinë e themelimit të Asociacionit, duke përmendur se ky proces është pjesë e marrëveshjeve të arritura që nga viti 2013.
Ai kërkoi që draft-statuti i Asociacionit të kalojë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për të siguruar përputhshmërinë me ligjet vendore, duke shtuar se këto obligime janë të pranishme që nga viti 2015, kur u nënshkrua marrëveshja mbi parimet për themelimin e tij.
“Asociacioni është një hap i rëndësishëm. Është e rëndësishme të shënohet përparim edhe para formimit të Asociacionit. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, të regjistrohen martesat, fëmijët që lindin dhe në të gjitha këto të punojmë njëkohësisht. Obligimet ekzistojnë që nga viti 2015, kur u nënshkrua [marrëveshja për Asociacionin]. Nuk mund t’iu ofroj një afat kohor, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë sikurse qytetarët evropianë”, ka thënë O’Brien.
Ndërkaq, edhe në një intervistë për Kanal 10 në Prishtinë, ai përsëriti qëndrimin e tij, duke kërkuar që të ketë përparim konkret në këtë proces dhe duke e konsideruar Asociacionin si një çelës për integrimin e serbëve në strukturat e Kosovës.
“Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese është zotim bazë. Nuk e presim vetëm nga kryeminstri Kurti, por kanë qenë edhe disa kryeministra të mëhershëm që e kanë bërë, prandaj e presim këtë edhe nga Kosova… Asociacionet janë shumë të zakonshme në Evropë, sa e dijmë ne, janë mbi 400 asociacione të tilla nëpër tërë Evropën. Asociacioni nuk krijon një qeverisje apo një shtresë tjetër, por është një mekanizëm për bashkërenditje, siç e shohim ne në Italinë Veriore apo në ishujt e Suedisë apo në Belgjikë”, ka shtuar O’Brien,