Spanjë-Angli do të jetë finalja e madhe e Euro 2024. Evropiani i Gjermanisë do të mbyll siparin ditën e djelë, në 14 Korrik, në sfidën që do të luhet në Olympiastadion të Berlinit. 30 ditë të një aventure të jashtëzakonshme, ku në Gjermani nuk është folur për asgjë tjetër veçse futbollit. Nga 24 skuadrat pjesëmarrëse, tashmë do të jenë vetëm 2, finalistët e këtij evropiani që do të garojnë për 90 minuta në një “betejë” të zjarrtë për kurorën e kampionit.
Spanja apo Anglia cilët do të triumfojnë në kryeqytetin gjerman, të djelën në mbrëmje? Por si vijnë Spanja dhe Anglia deri këtu. Faqja zyrtare e Uefa Euro 2024, ka analizuar në detaje rrugëtimin e të dyja finalisteve dhe se si kanë mbërritur deri këtu. Fillimisht Spanja. Skuadra e teknikut Luis de la Fuente është padyshim skuadra që ka prodhuar futbollin më bindës deri më tani. 6 ndeshje, 6 fitore vetëm ajo ndaj Gjermanisë në çerekfinale e bëjnë skuadrën e “La Roja-s” favoritetn e madhe të kësaj finale. 13 gola të realizuar dhe vetëm 3 të pësuar, shifra për një ekip kampion, apo jo? Për Spanjën kjo do të jetë finalja e 5-të në histori, me “furinë e kuqe” që ka fituar 3 herë (1964, 2008, 2012) dhe ka humbur vetëm 1 finale(1984)
Ndërkohë Anglia është skuadra që vjen në këtë finale në mënyrë disi të çuditshme. “Tre Luanët” ishin favoritët absolutë, që përpara se të niste kampionati, e deri në fazën çerekfinale. Por çfarë ndodhi me Anglinë? Skuadër me lojë jo bindëse, shumë fat në sfidat me eleminim direkt, gola të realizuar “in-extremis”, janë vetëm disa prej elementëve që vërtetojnë pakënaqësitë e tifozëve dhe mediave britanike ndaj skuadrës së tyre. 7 gola të realizuar dhe 4 të pësuar.
Sa i takon historisë, Anglia ndryshe nga Spanja nuk ka një historik të pasur në këtë kompeticion. Vetëm një finale e arritur është suksesi më i madh që “Tre Luanët” kanë arritur deri më tani, ajo e Euro 2020, kur u mundën me penallti nga Italia. Mos ndoshta ka ardhur momenti, që shprehja e famshme e anglezëve, futbolli do të kthehet në shtëpi, të bëhet realitet? Për këtë duhet të presim takimin e së djelës, që do t’u japë përgjigje shumë pikëpyetjeve lidhur me enigmat e kësaj finaleje të shumëpritur.