Pasi një gjykatë e hodhi poshtë çështjen e dokumenteve të klasifikuara kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ish-i i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka deklaruar se “tash radha është edhe për rastin e Hashim Thaçit”.
Këtë deklaratë Grenelli e bëri më 15 korrik të këtij viti, shkruan Ballkani.info.
Ai kishte shkruar në rrjetin social X se pasi prokurorit special Jack Smith iu shpërbë rasti ndaj Trumpit, kjo duhet të ndodhë edhe ndaj Thaçit që po akuzohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Rasti i Jack Smith kundër Trumpit po shpërbëhet. Radha është te ti, Hashim Thaçi”, kishte shkruar Grenell, që ishte i dërguar i SHBA-së për dialogun në kohën kur Trump ishte president.
Me fitoren e sotme dhe rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Grenelli pritet të ketë pozitë të rëndësishme në administratën e re amerikane.
Ai është përfolur se mund të jetë sekretar i shtetit, por kjo mbetet të shihet.
Amerikani Smith është prokuror i specializuar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë.