Në qendër të galaktikës sonë, Rrugës së Qumështit, fshihet një vrimë e zezë supermasive, rreth katër milionë herë më e madhe se masa e Diellit, e quajtur Sagittarius A*. Në fakt, këto objekte, masa e të cilave rritet me kalimin e kohës duke thithur materien që afrohet shumë pranë tyre, ndodhen në qendër të shumicës së galaktikave. Por që nga vënia në funksion e teleskopit hapësinor James Webb nga NASA në vitin 2022, astronomët janë habitur nga zbulimi i vrimave të zeza supermasive që ekzistonin në universin e hershëm – më herët nga sa besohej e mundur, duke marrë parasysh kohën e nevojshme për të fituar një masë kaq të madhe. Vëzhgimet e reja të një vrime të tillë të zezë primordiale ofrojnë një perspektivë mbi mënyrën se si mund të ketë ndodhur kjo – përmes episodeve të rritjes së tejmbushur, raportoi të martën Reuters.
Vrimat e zeza janë objekte jashtëzakonisht të dendura, me gravitet aq të fuqishëm saqë as drita nuk mund të shpëtojë prej tyre. Për shkak të tërheqjes së tyre të madhe gravitetike, masa e tyre rritet duke thithur materiale si gaz, pluhur dhe yje që afrohen mjaftueshëm pranë.
“Ekzistenca e vrimave të zeza supermasive në universin e hershëm na vë në dyshim modelet aktuale mbi formimin dhe rritjen e vrimave të zeza,” tha Hyewon Suh, një specialiste në astronomi nga Observatori Ndërkombëtar Gemini në Havai dhe NOIRLab i Fondacionit Kombëtar të Shkencës (NSF) në SHBA, autorja kryesore e studimit të botuar në revistën shkencore *Nature Astronomy*.
Vëzhgimet e reja të bëra me teleskopin James Webb fokusohen te një vrimë e zezë supermasive e quajtur LID-568, e cila ekzistonte kur kozmosi kishte rreth 11% të moshës së tij aktuale – rreth 1.5 miliardë vjet pas ngjarjes së Big Bang-ut 13.8 miliardë vjet më parë, që i dha jetë universit.
LID-568 ka një masë rreth 10 milionë herë më të madhe se ajo e Diellit, pra dy herë e gjysmë më e madhe se ajo e Sagittarius A*. Studiuesit ende nuk e kanë përcaktuar masën e galaktikës së saj të origjinës.
Sipas vëzhgimeve, LID-568 fiton masë me një ritëm më të shpejtë sesa besohej e mundur më parë. Teleskopi James Webb tregoi se, bazuar në sasinë e energjisë së vëzhguar, LID-568 duket se thith materie – një fenomen i njohur si akrecion – mbi 40 herë më shumë sesa maksimumi hipotetik, kufiri Eddington, për një aktivitet të tillë.
“Kufiri Eddington është një kufi teorik për prodhimin maksimal të energjisë që një vrimë e zezë mund të prodhojë gjatë procesit të akrecionit. Ky kufi teorik supozon se forca e daljes së rrezatimit të prodhuar gjatë procesit të akrecionit balancon gravitetin e materialit që po futet,” shpjegoi specialistja në astronomi dhe bashkëautorja e studimit Julia Scharwachter nga Observatori Gemini dhe NOIRLab.
Mendohet se këto vrima të zeza primordiale kanë lindur ose si rezultat i shpërthimit eksploziv të brezit të parë të yjeve në univers, ose nga shembja e reve të mëdha të gazit të pranishme në universin e hershëm.
“Zbulimi i LID-568 sugjeron se një pjesë e rëndësishme e rritjes së masës mund të ndodhë gjatë një episodi të vetëm të akrecionit të shpejtë. Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin e mënyrës se si vrimat e zeza supermasive janë formuar kaq herët në univers, pavarësisht nga mënyra se si kanë origjinën,” tha Suh.
“Deri më tani, na ka munguar konfirmimi përmes vëzhgimeve se si këto vrima të zeza mund të kenë rritur masën e tyre kaq shpejt në universin e hershëm,” shtoi specialistja.
Një tregues kyç i rritjes së një vrime të zezë supermasive është emetimi i rrezeve X, rrezatime elektromagnetike me energji të lartë dhe gjatësi vale shumë të shkurtra. Materiali që rrotullohet rreth një vrime të zezë supermasive përpara se të thithet nxehet tej mase dhe shkëlqen fuqishëm në gjatësitë e valëve të rrezeve X.
Studiuesit e vëzhguan për herë të parë LID-568 me ndihmën e Observatorit të Rrezeve X Chandra të NASA-s dhe më pas e studiuan atë më nga afër duke përdorur aftësitë e vëzhgimit në infra të kuqe të teleskopit James Webb.
Vëzhgimet e teleskopit James Webb sugjerojnë ekzistencën e një lloj mekanizmi përmes të cilit një vrimë e zezë mund të thithë materie me një ritëm më të shpejtë sesa besohej e mundur deri më tani.
“LID-568 është e jashtëzakonshme për shkak të ritmit të saj ekstrem të rritjes dhe faktit që ekziston kaq herët në univers,” tha Suh.
“Ende nuk e dimë se si LID-568 arrin të kapërcejë kufirin Eddington. Për të hetuar më tej, kemi nevojë për më shumë të dhëna, ndaj planifikojmë të kryejmë vëzhgime të tjera me Webb,” theksoi studiuesja.