Një vit pas sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit, Presidenti Joe Biden, Zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump shënuan këtë ngjarje në Shtetet e Bashkuara, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme mund të ndikojnë në fushatën zgjedhore presidenciale të muajit të ardhshëm, raportoi të martën AFP.
“Unë mbetem plotësisht e angazhuar për sigurinë e popullit hebre, sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për të ekzistuar,” deklaroi Presidenti amerikan Joe Biden në një deklaratë, duke shtuar se “shumë civilë kanë vuajtur tepër gjatë këtij viti konflikti.”
“Jam e tronditur nga dhimbja dhe zija e shkaktuar më 7 tetor,” tha Zëvendëspresidentja Kamala Harris, përpara se të mbillte një shegë në kopshtin e rezidencës së saj zyrtare.
Në shoqërinë e burrit të saj Doug Emhoff, i cili është me besim hebre, Harris qëndroi një moment për të nderuar pemën, e cila simbolizon shpresën dhe virtytin në religjionin judaik. Ajo shtoi se “nuk do të heqim dorë” dhe se do të bëjnë çmos për të arritur një armëpushim dhe për të liruar pengjet në Gaza.
Kundërshtari republikan i Biden, Donald Trump, shkoi në varrin e një rabini ultra-ortodoks në New York, përpara se të mbante një ceremoni, me nota elektorale, në një nga pronat e tij në Florida. Ai siguroi se ky sulm “nuk do të kishte ndodhur kurrë” po të ishte në pushtet dhe premtoi se do të mbrojë Izraelin nga kërcënimi për shkatërrim, nëse rizgjidhet më 5 nëntor.
Këto ngjarje përkujtimore nënvizojnë sfidat me të cilat përballet administrata Biden për të ndikuar në zhvillimet e luftës, ndërsa Harris përballet me një sfidë delikate në fushatën e saj, ku votat e komuniteteve myslimane amerikane mund të jenë vendimtare në një zgjedhje shumë të ngushtë.