Të dyshuarit për spiunazh janë arrestuar në Ferizaj pas një hetimi mes Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe Policisë së Kosovës.
Prokuroria Speciale, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka bërë të ditur se të arrestuarit B.Sh. dhe M.Q. kanë nënshtetësi kosovare dhe se hetimet ndaj tyre janë zhvilluar që prej disa muajsh.
“Pas zhvillimit të hetimeve disamujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 i KPRK-së”, është thënë në komunikatën e Prokurorisë.
I arrestuari B.SH. ka qenë punonjës i Doganës së Kosovës. Në këtë institucion kanë sqaruar të mërkurën se i arrestuari është pushuar nga marrëdhënia e punës në doganë dy dekada më parë.
Përfundon seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh
Ka përfunduar seanca e mbyllur gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për përcaktimin e masës së sigurisë ndaj B.Sh. dhe M.Q. që dyshohen për spiunazh. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk janë lajmëruar në thirrjet telefonike të KOHËS për të treguar për masën e vendosur.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tyre.
“Kërkesën për caktimin e paraburgimit kjo prokurori e ka paraqitur, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale: spiunazhi nga neni 124 par. 3 të KPRK-së, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale: mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të KPRK-së, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale për rastin ndaj dy të dyshuarve të arrestuar në Ferizaj.
Një ditë më parë, Prokuroria Speciale njoftoi se hetimet ndaj dy të dyshuarve po zhvilloheshin qe disa muaj.
E të enjten, Policia bëri të ditur se në dy lokacionet e të dyshuarve janë konfiskuar armë, municione e gazmaska ushtarake.
Prokuroria paraqet kërkesën për paraburgim ndaj dy të dyshuarve për spiunazh
Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesën për paraburgim ndaj B.Sh. dhe M.Q., që po dyshohen për spiunazh.
Kërkesa është paraqitur te gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Kërkesën për caktimin e paraburgimit kjo prokurori e ka paraqitur, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale: spiunazhi nga neni 124 par. 3 të KPRK-së, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale: mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të KPRK-së, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Dy të dyshuarit janë arrestuar në Ferizaj të martën.