Tirana e ka nisur sezonin e ri 2024-2025, me një barazim të bardhë pa gola. Një ndeshje e luajtur në Laç ku bardheblutë treguan një futboll të mirë, por që nuk shënuan dot gol.
Kryeqytetasit e nisin kampionatin me rezultat që e kishin përsëritur vetëm dy herë në 9 kampionatet e fundit, ndërsa 0-0 e kanë arritur vetëm një herë në nëntë vite. Për të plotësuar statistikat, Tirana në dhjetë kampionatet e fundit, sezonin e ka nisur tre herë me barazi, ka fituar 6 takime në sfidën hapëse dhe ka humbur vetëm një herë në javën e parë të kampionatit.
Një situatë enigmatike për bardhebluve në sezonin 2024-2025, pasi e kanë nisur me barazim dhe humbën kampionatin për çështjen e derbit me Partizanit apo kanë rënë nga kategoria si në rastin e sezonit 2016-2017. Për t’u shënuar fakti që edhe me fitore, bardheblutë nuk e kanë të garantuar suksesin, pasi vjet, ndonëse Tirana fitoi sfidën e parë me Dinamon, nuk shkoi më shumë se vendi i pestë dhe nuk u kualifikua dot në “Final 4”.
PIKËT – Nga nëntë sezonet e fundit vihet re oshilacioni i lartë i Tiranës, jo vetëm në rezultatet e javës së parë, por edhe në pikët e grumbulluara. Në sezonin e fundit, Tirana grumbulloi 50 pikë, duke marrë 17 pikë më pak pikë se një sezon më parë. Bardheblutë kishin dy sezone që nuk zbrisnin nga 67 pikët, ndërsa vjet situata ishte ndryshe. Në kampionatet e fundit Tirana ka marrë nga 39 pikë deri në 73 pikë, një diapazion i gjerë pikësh. Mesatarja e pikëve në nëntë vitet e fundit është 58.66 pikë, ndërsa në kampionatin e fundit bardheblutë morën vetëm 50 pikë. Do të shihet se çfarë do të ndodhë këtë sezon me skuadrën më të titullar të Shqipërisë.
TROFEU – Pas titullit të 2022-it, Superkupës, Tirana nuk ia ka dalë dot që të marrë trofe. Sezonin e fundit doli e pesta në kampionat, ndërsa nuk u kualifikua në finalen e Kupës së Shqipërisë, pasi u eliminua nga Kukësi i vendit të fundit. Në sezonin 2022-2023 humbi kampionatin dhe finalen e Kupës së Shqipërisë mes polemikave të mëdha për atë ndeshje me Bylisin në Rrogozhinë.