Ka nisur sot në Luksemburg Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Takimi po drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së.
Shqipëria përfaqësohet në këtë konferencë nga Kryeministri Edi Rama, Kryenegociatorja Majlina Dhuka, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni. Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e nesërme, të njohura si “Themeloret”.
Pas takimit rreth orës 09:25 pritet një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.
Takimi shërben për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grup-kapitullin 1, që përfshin fushat dhe kapitujt e negociatave si:
Funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike
Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
Kriteret ekonomike
Kapitulli 5 – Prokurimi publik
Kapitulli 18 – Statistikat
Kapitulli 32 – Kontrolli financiar
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.
Negociatat për grup-kapitullin 1 hapen të parat dhe mbyllen të fundit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper II) miratoi qëndrimin e përbashkët të BE-së duke hapur grupin e parë të negociatave me Shqipërinë, duke lejuar kështu mbajtjen e një konference ndërqeveritare me Shqipërinë më 15 tetor 2024 në Luksemburg.
Shqipëria do të jetë e para ndër vendet kandidate që do të hapë negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, e cila do të jetë një moment kyç për vendin e Ballkanit Perëndimor.
Grupi i parë i kapitujve mbulon reformat themelore, duke i hapur rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave.