Nga sot, të gjithë ata që do të kalojnë në aksin Thumanë-Kashar do të duhet të paguajnë. Kompania koncesionare e biznesmenit afër Berishës, Bashkim Ulaj, që ka ndërtuar dhe mirëmban këtë rrugë, paralajmëroi në mes të dhjetorit se nga data 4 janar niste zbatimin e tarifës së miratuar, e cila fillon nga 2.52 euro me TVSH.
Ndërkohë tabelat e afishuara të çmimeve nga Rinasi për në Kashar dhe nga Rinasi për në Thumanë janë si më poshtë
Tabela e çmimeve nga Rinasi për në Kashar dhe nga Rinasi për në Thumanë
Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive Gener 2 sh.p.k dhe G2 Infra sh.p.k parashikon një koncesion 35 vjeçar. Sipas dokumentit të firmosur nga palët, pagesa për automjetet nuk do të jetë më pak se 2.1 euro, pa TVSH. Nga këto të dhëna, rezulton se çdo automjet do të paguajë të paktën 2.52 euro me TVSH për çdo kalim në këtë aks.
Ndërkohë Kompania nuk ka publikuar ende tarifat e detajuara për cdo lloj mjeti që do të kalojë.
Për më tepër kjo tarifë në euro, sipas ‘Gener 2’ do të përllogaritet çdo vit në bazë të kursit të këmbimit lekë/euro dhe do të pasqyrohet në vlerë në mënyrë kumulative çdo 4 vjet. Kontrata parashikon gjithashtu rrumbullakosje të çmimit kur është me presje dhjetore. Pra teksa monedha vendase është leku, pagesa në lekë do të bëhet në bazë të një kursi që do të përcaktohet në kontratë, i afërt me kursin e tregut.
Rruga Thumanë-Kashar u hap për qarkullim në 30 qershor 2024 dhe është dhënë me koncesion kompanisë Gener 2 për 35 vite dhe me një kosto 271 milionë euro. Nga ana tjetër, koncensionari planifikon të mbledhë mbi1.3 miliardë euro (pa TVSH) si të ardhura bazë nga tarifa për 35 vite. Deri tani, qarkullimi ka qenë falas, pasi kompania ka kryer testimet e nevojshme për të shmangur krijimin e radhëve.
Segmenti ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe është autostrada e parë e Kategorisë A. që nënkupton jo vetëm standarte europiane të ndërtimit të rrugës, por edhe një limit shpejtësie tjetër nga ai që kanë akset e tjera rrugore të vendit.
Gjurma e saj nis nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë–Krujës. Shpejtësia e projektuar për këtë rrugë është 130 kilometra/orë, ndërkohë që pjesë përbërëse e saj janë 14 nënkalime, 12 ura, 3 mbikalime si dhe korsi emergjencash në secilën anë.
Projektet e tjera për Bashkim Ulaj
Me firmën e zv/kryeministres Balluku Bashkim Ulaju shpërblye me dy projekte të mëdha në harkun e 12 ditëve. Projekti i parë është ai për ndërtimin e një TEC-i në Roskovec firmosur në mbledhjen e 18 dhjetorit 2024. Një ditë nga mbyllja e 2024, (30 dhjetor) qeveria miratoi kontratën koncesionare 44,6 milionë euro pa TVSH për projektimin dhe ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, 13,5 km i gjatë, pjesë e korridorit blu. Jo vetëm kaq po në këtë mbledhje të Këshillit të Ministrave biznesmeni Bashkim Ulaj, botues dhe pronar i stacionit televiziv A2 së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës.