Sot në orën 21:00 në Dortmund luhet Itali – Shqipëri, ndeshja e vlefshme për Grupin B (atë të ferrit) të finaleve të Euro 2024. Gjithë vëmendja është në “Iduna Park”, me impiantin që pritet të ketë afro 50 mijë shqiptarë.
Në Dortmund kanë nisur emocionet, me tifozët kuqezi që kanë “pushtuar” qytetin dhe janë më të zjarrtë se kurrë. Të kudondodhur për Kombëtaren, atmosfera prej ditës së djeshme ishte e zjarrtë nga kuqezinjtë.
Sa i takon fushës, Sylvinho i ka idetë më të qarta pas stërvitjes së fundit. Me skemën 4-3-3, në sulm projektohet Broja. Nga ana tjetër, në konferencën për shtyp, trajneri i Italisë, Spalletti tha se kishte emocione për këtë ndeshje.
Statistikat/ Italia dhe Shqipëria do të përballen me njëra-tjetrën për të pestën herë në historinë e tyre. Në katër ndeshjet e mëparshme, të kaltrit kanë fituar gjithmonë. Përplasja direkte më e fundit është miqësorja e luajtur në “Air Albania” më 16 nëntor 2022.
Kombëtarja italiane fitoi 3-1 falë golave të Di Lorenzo dhe Griffo (dopietë). Goli i vetëm i Shqipërisë u realizua nga Ismajli. Në total, Italia ka shënuar 7 gola dhe ka pësuar 2 të tillë ndaj kuqezinjve. Veç Italisë, Shqipëria përballet edhe me Spanjën dhe Kroacinë në Grupin B të Euro 2024.
Sakrificat për të ndjekur kombëtaren, 36 orë rrugë me makinë deri në Dortmund!
Me plis e flamurin kuqezi, tifozët shqiptarë kanë ‘pushtuar’ Dortumundin për të ndjekur ndeshjen Itali-Shqipëri. Rreth 50 mijë shqiptarë do jenë në stadiumin e Dortmundit, ndërsa të gjithë mund t’i gjesh lehtësisht nëpër rrugët e qytetit Gjerman.
Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi sjell atmosferën nga Dortmundi, ndërsa tifozët bëjnë edhe parashikimet për rezultatin e ndeshjes Itali-Shqipëri. Padyshim që kombëtaren e shohin fituese, me rezultatin 2 me 1, ose 1 me zero. Brojën e Asanin i shohin si protagonistë të golave.
Një prej tifozëve ka udhëtuar nga Berati për 36 orë. Krah tij është dhe një tifoz që tregon se e ka ndjekur kombëtaren në çdo ndeshje që në 1984.
“Nga Berati, kemi 36 orë që udhëtojmë me makinë. Shumë shqiptarë. Fitojmë ne, Asani një gol. 1 me 0, fitojmë ne.
2 me 1 ka mbaruar për ne shoku. Broja, Asani gol, hajde gëzuar. Nga Lushnja, ja ku e kemi flamurin.
2 me 1. Sa kemi ardhur, kemi nja një orë.
2 me 1 për Shqipërinë. Kam ardhur nga Parma në Itali, jam gjak shqiptari”, thonë tifozët