Javë më parë është raportuar nga disa autoshkolla në rrjete sociale se do të ndryshohen pyetjet në testet për patentëshoferë në Republikën e Kosovës.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në një intervistë me shkrim për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar këtë ndryshim.
Nga MMPHI-ja bëjnë të ditur se ky sistem i ri testimit për kandidatët që do të hynë në testim për patentëshoferë në kategorinë B do të ketë ndryshime në pyetjet e përditësuara dhe të një formati të ri të testit.
“Do të implementohet një sistem i ri testimi për të gjitha kategoritë, që përfshin pyetje të përditësuara dhe një format të ri të testit. Ky sistem synon të përmirësojë procesin e testimit dhe të sigurojë që kandidatët të kenë njohuri të përditësuara mbi rregullat e trafikut dhe sigurinë rrugore. Me publikimin e doracakut zyrtar, kandidatët kanë një burim të standardizuar për përgatitje, duke mundësuar një qasje më të strukturuar dhe të unifikuar në mësimin e materialit të nevojshëm për provimin e patentëshoferit”, thuhet në përgjigjen e MMPHI.