Ndalimi i programit bërthamor iranian mbetet objektivi themelor i politikës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, sipas një deklarate të bërë prej tij të enjten, raporton DPA.
“Ndalimi i programit bërthamor ishte – dhe mbetet – shqetësimi ynë kryesor,” u tha Netanyahu ushtarëve në shkollën ushtarake Bahad 1 në Izraelin jugor.
Parandalimi i Iranit nga marrja e armëve bërthamore është “qëllimi përfundimtar” i vendosur për forcat e armatosura izraelite dhe të gjitha shërbimet e sigurisë, tha kreu i qeverisë izraelite.
Ai shtoi se nuk mund të japë detaje për planet e tij, pasi kjo do të rrezikonte arritjen e objektivit. Megjithatë, Benjamin Netanyahu deklaroi se aktualisht Izraeli ka më shumë liri veprimi në Iran dhe, nëse është e nevojshme, do të jetë në gjendje të “goditojë kudo në Iran”.
Izraeli e sheh programin bërthamor iranian si një kërcënim ekzistencial, veçanërisht në dritën e faktit se Teherani mund ta përdorë këtë program për të zhvilluar armë bërthamore.
Para sulmeve të fundit hakmarrëse izraelite kundër Iranit javën e kaluar, kishte shqetësime se objektivat bërthamore mund të goditeshin gjithashtu, duke përshkallëzuar krizën aktuale. Megjithatë, Izraeli deklaroi se forcat e tij ajrore goditën “objektivat e prodhimit të raketave”.