Nesër do të fillojë edicioni i 20-të i konferencës ndërkombëtare “e-Shoqëri.mk”, tema për këtë vit është “Transformimi digjital për një jetë më të mirë”. Konferenca organizohet si gjithnjë nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”. Konferenca do të mbahet dy ditë (5,6 nëntor), raporton Portalb.mk.
Këtë herë fokusi do të jetë në temat që lidhen me krijimin e një shoqërie digjitale që plotëson nevojat e të gjithëve dhe një shoqërie që respekton të drejtat e njeriut dhe forcon proceset demokratike përmes ndërtimit të një jete më të mirë.
Metamorfozis këtë vit shënon 20 vjet të ekzistencës së saj, gjë që do të theksohet veçanërisht në konferencë e cila është simbol i kësaj organizate.
Po ashtu, për herë të parë këtë vit, Metamorfozis do ta ndajë çmimin “Ilia Zhupanoski” për gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe individët që kontribuojnë në trajtimin e dezinformatave.
Në konferencë do të flasin rreth 20 folës, duke përfshirë dy persona me aftësi të veçanta të cilët do të prezantojnë se si inteligjenca artificiale i ndihmon ata në jetën e tyre.
Gjithashtu do të organizohet kuiz, do të ketë mundësi për rrjetëzim, si dhe disa ekspozita që mund të shihen gjatë kohëzgjatjes së konferencës. Njëra është një ekspozitë me instalacione arti: Post-të vërteta, më pas do të ketë promovim të videove të shkurtra nga Hive Mind, si dhe ekspozitë e botimeve të përzgjedhura nga Metamorfozis.
Në konferencë do të diskutohet për përgjegjësinë sociale në transformimin digjital nga një perspektivë institucionale, civile dhe e biznesit, si dhe do të diskutohen përfitimet e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale, edukimin mediatik dhe tendencat dhe ndryshimet e reja në media, si dhe sfidat e sigurisë nxitur nga rritja e dezinformatave dhe përhapja e tij.
“Për njëzet vjet, Fondacioni për Internetit dhe Shoqëri Metamorphosis po punon për transformimin digjital dhe përgatit shoqërinë për epokën digjitale. Këtë vit jemi duke eksploruar tema që janë vazhdimisht në fokusin tonë, duke parë procesin e transformimit digjital në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Fondacionit Metamorfozis.
Siç është planifikuar, në ditën e parë, më 5 nëntor, pas prezantimeve hyrëse nga drejtori ekzekutiv Bardhyl Jashari, Uzlem Janel – ambasadori i Mbretërisë së Holandës, dhe Clara Jimenez Cruz – bashkëthemeluese dhe drejtore ekzekutive e Maldita.es, në sesionin e parë, do të flitet mbi temën “A ka hair nga shoqëria digjitale?”.
Tema do të diskutohet nga Stanislav Vasilkovski – udhëheqës i Departamentit për mirëmbajtjen e aplikacioneve të sistemeve TIK në Ministrinë e Transformimit Digjital, pastaj Marjan Gushev – profesor në Fakultetin e Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike, Vesna Ivanoska – drejtoreshë e Akademisë Kinshift dhe nënkryetare e Bordit Drejtues të MASIT-it, si dhe Ana Toskiq Cvetinoviq – drejtoreshë e Partnerëve për Ndryshim Demokratik Serbi.
Personat me aftësi të veçanta pritet të demonstrojnë përdorimin e IA-së dhe prezantues do të jenë Vasil Taneski – programues në pension, si dhe Kristijan Llazarev – themelues dhe kryetar i Asociacionit për Qasje dhe Përfshirje (API).
Me temën “Memifikimi i diskursit shoqëror – rregullat e lirisë në media”, do të flasin profesori Sead Jigal – specialist për komunikime dhe media të reja nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Goshe Nikollov – gazetar në Meta.mk, si dhe psikoterapistja Tiana Ivanovska.
Në një nga seancat e datës 5 nëntor do të diskutohet tema “Njohja e dezinformatave si superfuqi (kuiz) Boomers ndaj Buzzers”, e cila do të përfshijë një garë mes dy ekipeve të përbëra nga përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, në gatishmëri për të njohur dezinformimin.
Ditën e dytë, më 6 nëntor, do të flitet për luftën kundër dezinformimit dhe praktikat më të mira në këtë luftë, por do të diskutohet edhe për teknologjitë digjitale dhe platformat sociale në luftën kundër dezinformimit. Në një nga seancat është planifikuar që të diskutohet për dezinformimin në një kontekst më të gjerë.