Sot u nënshkrua Marrëveshja për financimin e IPA-s Program vjetor i veprimit 2024, mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilën e nënshkroi ministri për Çështje Evropiane dhe koordinatori Nacional i IPA-s Orhan Murtezani, raporton Portalb.mk.
Ky program është në shumë totale prej 61.795.000 euro nga të cilat:
Ko-financim i BE-së në vlerë prej 58.600.000 euro, ko-financim nacional në shumë prej 2.895.000 euro, të tretët – shfrytëzues të një skeme granti në vlerë prej 300.000 euro, për mbështetjen e sektorëve: shëndetësi, sociale, drejtësi, punëve të brendshme, konkurrencës dhe inovacionit, energjetikës, bujqësisë, zhvillimit lokal dhe rajonal.
“Këto mjete financiare, të shpërndara në tre vitet e ardhshme, (duke filluar nga viti 2025), do të dedikohen për zbatimin e projekteve që kanë rëndësi thelbësore për Integrimin Evropian të vendit dhe përforcimin e kapaciteteve institucionale”, informoi Ministria për Çështje Evropiane.
Në gusht 2024, Qeveriae shkarkoi Afrona Vërzivollin, e cila ishte e emëruar ushtruese në detyrën revizore kryesore e Trupit revizor për revizion fondeve IPA për shkak të mospasjes së licencës për revizore. Në vendin e saj u emërua Arben Ramadani. Ky shkarkim erdhi pasi Delegacioni i BE-së në Shkup paralajmëroi se do ta hetojnë këtë emërim pasi që ajo nuk posedon licencë për revizor.
Në shtator 2023 Portalb.mk publikoi një analizë lidhur me disbalancin e investimeve përmes fondeve IPA të BE-së mes tetë rajoneve planore të Maqedonisë së Veriut. Gjegjësisht, sipas të dhënave , prej vitit 2007-të, në tetë rajonet e vendit ishin investuar mbi 800 milionë euro, prej këtyre mjeteve, më së shumti apo 122 milionë euro ishin investuar në Rajonin e Vardarit, ndërkaq më së paku apo vetëm 29 milionë euro në Rajonin e Pollogut.