Gjysmën e ngarkesës mësimore për nxënësit e klasave të 12-ta të shkollës profesionale “Thoma Papapano” e zënë orët e praktikës profesionale.
15 orë në javë ata i kalojnë pranë bizneseve sipas degëve që kanë zgjedhur të studiojnë.
Në një prej serviseve të automjeteve që operon në Gjirokastër gjetëm Klejdin, i cili duket se i është përkushtuar punës për t’u bërë një profesionist i zoti.
“Preferoj ta bëj praktikën në ambientet e servisit. Është diçka që më pëlqen që i vogël, një pasion, që u shërben të tjerëve. U sugjeroj edhe shokëve të mi të merren me këtë siç po bëj unë. Është diçka që ka shumë lekë,” shprehet nxënësi Klejdi Haska.
Ndërsa bizneset u kanë hapur dyert të rinjve, shprehen se përfitimi është i ndërsjellë, si për nxënësit, ashtu edhe për serviset, që vuajnë mungesën e profesionistëve.
“Shohim që këta kanë dëshirën e madhe dhe qejf për të punuar. Ne i marrim me kohë të pjesshme me rrogë,” thotë administratori i një biznesi, Nedin Meçi.
Shkolla profesionale “Thoma Papapano” ka nënshkruar marrëveshje me mbi 30 biznese për zhvillimin e praktikave nga nxënësit që e frekuentojnë në të katra degët që zhvillohen në të.