NË GJKKO mbahet sot seanca për verifikimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten Ajola Xoxa dhe 5 biznesmenët. Veliaj u shoqërua nga Blloku i Sigurisë drejt GJKKO me furgon policie, ndërkohë që Xoxa që ndodhet në arrest shtëpie u shoqërua nga dy policë. Mbështetës të kryebashkiakut janë mbledhur te Gjykata për përkrahjen morale ndaj Erion Veliajt.
Për verifikim mase u paraqitën edhe 4 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkëlqim Fusha, për të cilët është caktuar masa detyrim paraqitjeje. Si edhe biznesmeni i arrestuar Elman Abule. Ndërkohë, masa nuk është ekzekutuar për biznesmenin Sokol Kryeziu, pasi ndodhet jashtë shtetit.
Seanca nisi rreth 30:00 minuta me vonesë, pasi në GJKKO nuk kishte drita, por u vendos një gjenerator. Ndërkohë tani është shtyrë për në orën 13:30, për shkak se avokatët kërkojnë kohë për njohjen e dosjes.
Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ndaj biznesmenit Abule rëndon akuza e pastrimit të parave, ndërsa për 5 të tjerët vetëm ajo e korrupsionit aktiv. Prokurorë të dosjes janë Ols Dado dhe Altin Dumani, ndërsa gjyqtar Erion Bani.
Sipas SPAK, Veliaj dyshohet krijoi një skemë korruptive, mes kompanive të bashkëshortes dhe 6 biznesmenë pranë tij. Ajola Xoxa u kthye brenda ditës nga një udhëtim në Itali, për të zbatuar masën e arrestit shtëpiak.
SPAK thotë se Veliaj ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek 5 biznesmenët ndaj të cilëve është caktuar masa arrest me burg. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, shtetasja Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh. SPAK thotë se përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules u gjeneruan 1.1 mln euro.
Prokuroria e Posaçme thotë se Ajola Xoxa në 6 vite ka blerë online mbi 860 mijë euro veshje dhe bizhuteri, shpenzime të cilat nuk i ka deklaruar. SPAK sekuestroi vilën 494 m2 në Qerret, e ndërtuar nga kompania Agi Kons e ndërtuesit Gentian Sula, 2 llogari bankare të Ajola Xoxës me vlerë 869,149 Euro dhe para të valutave të ndryshme me vlerë 115 mijë euro, të gjetura në një kasafortë, gjatë kontrolleve në një prej bizneseve të Xoxës.
Masat e sigurisë dhe akuzat
Erion Veliaj – Arrest me burg; korrupsion (9 raste) dhe pastrim parash
Ajola Xoxa – Arrest shtëpie; korrupsion (9 raste), pastrim parash, fshehje pasurie
Elman Abule -Arrest me burg; Pastrim Parash
Gentian Sula – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
Meriman Palushi – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
Fatmir Bektashi -Detyrim paraqitjeje; Korrupsion aktiv
Sokol Kryeziu – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv (masa nuk është ekzekutuar)
Shkëlqim Fusha – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv