Njohës të zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut thonë se rasti i Osmanit si dhe ndalimi para disa ditësh i ish-pjesëtarit të UÇK-së me fletëarrest të Serbisë, nuk janë të rastësishme dhe se konfirmojnë tendencën e qeverisë atje për përafrim me lidershipin në Beograd. Sipas tyre, një gjë e tillë do të ishte e patolerueshme veçmas për koalicionin shqiptar i bashkuar rreth VLEN-it që është pjesë e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
Mosreagimi i institucioneve të Maqedonisë së Veriut pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, po shihet si shenjë për ftohjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Aktualisht qeveria e Maqedonisë së Veriut udhëhiqet nga VMRO-DPMNE së cilës iu bashkua në koalicion VLEN-in shqiptar, të cilin e pati mbështetur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Për analistin Albert Musliu, rasti i presidentes Osmani si dhe arrestimi para disa ditëve i ish-pjesëtarit të UÇK-së nga autoritetet maqedonase janë sinjal për ndryshim të kursit në raport me Kosovën.
“Kryeministri i Kosovës i jepte një mbështetje të hapur koalicionit qeveritar. Tash presidentja e Kosovës përfshihet në një incident provokues dhe të papërgjegjshëm në aeroportin e Maqedonisë. Prandaj them se kjo duhet të zbardhet dhe ai që ka shkaktuar incidentin gjithsesi se duhet të penalizohet. Nuk mund të kalojë ashtu siç kanë kaluar para 20 vjetëve provokime të këtij lloji”, ka thënë Musliu. “Fundja edhe kryeministri aktual i Kosovës është ndaluar njëherë në kufij nga qeveria e Maqedonisë të cilën e udhëhiqte VMRO-DPMNE-ja por kjo ishte para se të bëhet kryeministër. Presidenten e Kosovës dje e kanë përfshirë në një situatë të pahijshme dhe nëse institucionet shtetërore nuk reagojnë kjo mund të shihet si një tendencë për ftohjen e marrëdhënieve mes dy shteteve”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, qeveria e re ka shfaqur tendenca të forcimit të lidhjeve me Serbinë, e cila nuk ia njeh shtetësinë Kosovës.
“E shohim një tendencë përafrimi shumë të madh të partisë më të madhe në pushtet me lidershipin serb. Patëm vizitën e ministrit të Brendshëm serb ku kishte një marrëveshje për patrullim të ndërsjellë të policëve. Kjo me presidenten Osmani gjithsesi nuk mund të jetë e rastit, është fjala për presidenten e Kosovës dhe nuk mund të ndodhë që të gjithë ata që punojnë në aeroport të mos jenë të vetëdijshëm për statusin dhe personalitetin e saj”, është shprehur ai.
Musliu shton se ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë thelbësore, për faktin se 30 për qind e qytetarëve atje janë shqiptarë. Sipas tij, situata si kjo me Osmanin janë të patolerueshme për çdo qeveri posaçërisht për palën shqiptare e cila është pjesë e ekzekutivit.
“Relacionet me Kosovën në të kaluarën i kemi marrë të mirëqene. Situata të kanë qenë e pa paramendueshme të ndodhin, ta zëmë dy vjet më parë. Por ja që ndodhi. Mua më shumë më shqetëson fakti se nuk kemi pasur reagim e thirrje për përgjegjësi ose zbardhje të atij rasti së paku nga homologia e saj, kryetarja e Maqedonisë së veriut. Gjithashtu duhet të nxirren para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë qenë pjesë e kësaj ngjarje”, ka potencuar Musliu.
Homologia e Osmanit që nuk reagoi pas incidentit, Gordana Siljanovska-Davkova, pati shkaktuar polemika të shumta që në inaugurimin e saj, në maj të këtij viti duke e shmangur emërtimin kushtetues. Ky ishte rikonfirmim i qëndrimeve që VMRO-DPMNE-ja ka shpalosur para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, sa i përket marrëveshjeve të arritura nga qeveritë paraprake, si parakusht për integrim në BE.
Për këtë veprim, Davkova u kritikua edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.
Përdorimi i emrit “Maqedonia” provokon një reagim të fortë grek, pasi Greqia akuzonte fqinjin e saj verior se e ka përvetësuar emrin nga historia e Mbretërisë së Lashtë Greke të Maqedonisë, e cila ka ekzistuar para popullit sllav.
Presidentja Vjosa Osmani në urimin që i kishte bërë homologes maqedonase ia pati përmendur perspektivën evropiane.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme fqinjësore dhe ndajnë një angazhim të fortë drejt integrimit Euro-Atlantik. Mezi pres të punojmë me Presidenten e zgjedhur për të arritur këtë qëllim të përbashkët dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni e Veriut”, pati shkruar Osmani në platformën “X”.
E të premten Davkova ka realizuar një vizitë në Serbi ku u takua me homologun serb, Aleksandar Vuçiq.
Në mënyrë që të ecë përpara me hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE-së, Maqedonisë së Veriut po i kërkohen ndryshimet tjera kushtetuese, përkatësisht përfshirja e komunitetit bullgarë në aktin më të lartë juridik.